INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Akademia e shkencave shpall vendimin për konkursin e veprave më të mira shkencore kushtuar heroit kombëtar

Akademia e shkencave shpall vendimin për konkursin e veprave më të mira shkencore kushtuar heroit kombëtar

Publikuar më: 15:03 23-12-2017


Akademia e shkencave ka lajmëruar se ka hapur një konkurs për "veprat dhe botimet më të mira shkencore kushtuar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe epokës së tij" në kuadrin e vitit 2018, shpallur “VITI I SKËNDERBEUT”.

NJOFTIMI I PLOTË I AKADEMISË SË SHKENCAVE:


1. Shpalljen e konkursit për veprat dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe epokës së tij; hero kombëtar i popullit shqiptar; protagonist i Rilindjes Europiane si më poshtë:
- Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë shqiptarë.
- Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër.
- Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare në vlerësimin e rrallësisë bukinistike. Përparësi kanë botimet diplomatike-anastatike të letërsisë humaniste shqip dhe/ose në gjuhë të huaj.
2. Pranohen për konkurrim studimet monografike dhe dokumentare të botuara prej vitit 2000 deri në vitin 2018. Të drejtën e propozimit e kanë institucionet akademike-universitare, botuesit dhe autorët vetë.
3. Për organizmin e këtij konkursi, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet që, në mënyrë autonome, të bëjë pranimin, përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen fitues të tre kandidatëve pjesëmarrës në konkurs sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij vendimi. Juria ngrihet me vendim të Këshillit Ekzekutiv.
4. Pranimi i veprave konkurruese hapet më 1 janar 2018 dhe mbyllet më datën 30 qershor 2018. Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria më 18 shtator 2018. Me secilin prej pjesëmarrësve në konkrus organizohet një ligjëratë akademike e hapur për paraqitjen e rezultateve të punës së tyre kërkimore.
5. Për secilin prej fituesve do të ndahet diploma dhe një shpërblim financiar. Çmimi special për veprat fituese shpallet publikisht në muajin nëntor 2018, që përmbyll Vitin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, shpallur me VKM sipërcituar.
6. Ngarkohet Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave që, në bashkëpunim me dy seksionet shkencore dhe me sektorin e botimeve dhe bibliotekës shkencore të ASH-së, të organizojë punën për krijimin e kushteve për konkurrim transparent, si dhe për funksionimin e jurisë sipas Rregullores së çmimeve shkencore kombëtare sipërcituar.
7. Ngarkohet specialisti i komunikimeve shkencore, marrëdhëniet me jashtë dhe publikun për njoftimin e këtij vendimi.
8. Ngarkohet specialisti IT për publikimin e këtij vendimi.
9. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
SEKRETAR SHKENCOR
Akademik Vasil S. TOLE

Article Logic
Execution time: 0.0034220218658447