Një aksident i rëndë me disa të plagosur ka ndodhur në aksin Elbasan-Librazhd rreth orës 17:30 të mbasdites së sotme. Policia ka raportuar se aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Xibrakë ku një mjet tip Benz që drejtohej nga shtetasi D.D., 37 vjeç banues në Xhafzotaj të Durrësit është përplasur me makinën tip “Toyota” të drejtuar nga shtetasi B.B., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur 7 persona që janë shoqëruar në spitalin e Elbasanit. Aktualisht raportohet se është në gjendje të rëndë një 12-vjeçare e cila po udhëtonte në mjetin Toyota të drejtuar nga babai i saj. Ndërkohë që të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në spital. Ende nuk dihet shkaku i aksidentit, por mendohet se lagështira në rrugë të jetë bërë shkak për përplasjen mes mjeteve.