Një aksident i rëndë u ka marr jetën tre persona pasi mbi makinën me të cilin udhëtonin ka rënë një masiv shkëmbor, i shkëpur nga mali. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në rrugën Torovicë-Melcaj në Lezhë, ku mësohet se viktima kanë mbetur dy vëllezërit, Edmond dhe Valentin Zefi, si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Alda Zefi. Mësohet se gruaja ishte shtatzënë. Policia njofton se aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 15:30 kur mbi një mjet tip fuoristradë Land Rover me targë AA 322 CV ku po udhëtonin familjarët ka rënë masivi shkëmbor. “Janë identifikuar 3 viktima të cilët ndodheshin brenda në mjet pasi gjysma e mjetit është e shtypur dhe mbuluar nga masivi shkëmbor. Shërbimet policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, zjarrfikëset dhe ambulancën ndodhen në vendngjarje për veprime të mëtejshme”, -thuhet në njoftimin e policisë.