Vijon puna nga Policia Rrugore e Tiranës për zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve, përsa i përket problematikës së qarkullimit rrugor.
Referuar ankesave dhe telefonatave nga qytetarët e Tiranës drejt numrit 112 nga të cilat rezulton se, shumica e tyre janë për vështirësi apo bllokime të trafikut për shkak të parkimeve të gabuara, kryesisht në oraret e mëngjesit dhe të drekës, Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore Tiranë, vijon kontrollet sipas zonave problematike të evidentuara më herët.
Këtë javë shërbimet e Policisë Rrugore janë përqëndruar në rrugën "Medar Shtylla", zona e njohur si Komuna e Parisit.
Nga kontrollet e ushtruara janë ndëshkuar 83 drejtues automjetesh për parkim të gabuar, kryesisht në rrugë urbane dytësore dhe brenda komplekseve të banimit, duke u bërë pengesë serioze për qarkullimin normal të mjeteve të banorëve të zonës dhe mjeteve të emergjencave civile apo mjekësore, në rastet kur nevojitet ndërhyrja e tyre.
Policia Rrugore apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe falënderon qytetarët që besojnë tek Policia dhe kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.