Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar pas aksionit anti-informalitet, që vijon prej fillimit të muajit korrik, dhe që po ndëshkon me gjoba e deri mbyllje të gjitha bizneset që abuzojnë.
Në një mesazh në “Facebook”, Basha thekson se dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve kundër sipërmarrjeve të vogla bëhet për të grabitur paratë e tyre dhe për të financuar hajdutërinë dhe luksin e Hajdutit Psiqik e klientëve të tij milionerë.
“Hajduti Psiqik – Mafia Kroate – Vëllai në mes! Tani të gjithë e kuptojnë se një nga arsyet kryesore për dhunën e gjobave dhe sekuestrimeve kundër sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre dhe për të financuar hajdutërinë dhe luksin e Hajdutit Psiqik dhe klientëve të tij milionerë”
Sipas kreut të Partisë Demokratike, mafia kroate dhe familjarët e kryeministrit Edi Rama do të përfitojnë 10 milionë euro në vit nga shitja e programit elektronik te bizneset.
“Tenderi 15 milion euro i paracaktuar për miqtë e mafias kroate dhe familjarët e Hajdutit Psiqik, është pjesa më e vogël e përfitimit. Mafia kroate dhe Hajduti Psiqik do të fitojë 10 milion euro në vit nga shitja e programit elektronik tek bizneset. Për këtë po bëhet e gjithë lufta për faturimet e Hajdutit Psiqik: që t’u imponojë bizneseve shqiptare blerjen e programit nga miqtë e mafias kroate në janar kur hyn në fuqi detyrimi”shkruan Basha në rrjetin social Facebook.