INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Aksioni kundër pikave të grumbullimit të mbetjeve, Klosi: Fund guroreve që ndotin

Aksioni kundër pikave të grumbullimit të mbetjeve, Klosi: Fund guroreve që ndotin

Publikuar më: 18:05 06-03-2018

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë vijuar aksionin e tyre për bllokimin e të gjitha pikave të grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që nuk plotësojnë kriteret mjedisore dhe sjellin rrezik për jetën e qytetarëve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, inspektuan sot një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve që funksiononte në Rr. “Siri Kodra”, një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se po evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara.

“Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë.

Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja”, tha Klosi, teksa siguroi se ky aksion vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.

Ai u shpreh se këto biznese do të duhet të zhvillohen jashtë qendrave të banuara, duke shtuar se do t’i jepet fund guroreve dhe mbetjeve që ndotin.

“Kjo është edhe një përgjigje për batarenë që mbështet paligjshmërinë. Në fillim erdhi nga Saliu, i cili mbronte guroret e paligjshme në të gjithë Shqipërinë, të cilat po i mbyllim, po i evidentojmë dhe do nxjerrim kriteret e reja mbi të cilat do të zhvillohet biznesi i tyre. Sot erdhi mbështetja e Lulit për pisllëkun e qytetit. Jo! Nuk do të lejojmë as batarenë e guroreve, as papastërtinë që i vjen qyteteve nga guroret, por as luftën kundër zhulit në Tiranë nuk do ta ndërpresim. Jemi këtu për çdo shqetësim të qytetarëve, për të mbështetur organet ligjzbatuese, për të mbështetur biznesin e ndershëm, i cili mund t’i zhvillojë bizneset me kriteret e lejeve mjedisore në përputhje me kushtet me të cilat ndërtohen këto biznese në gjithë vendet normale europiane dhe padyshim zhvillimin e këtyre bizneseve larg zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me plehrat”, tha Klosi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se është e papranueshme, si nga ana estetike, ashtu edhe e dëmshme për jetën e banorëve, që hapësira brenda lagjeve të banuara të kthehen në varreza hekurishtesh apo mbetjesh të tjera urbane.

Article Logic
Execution time: 0.0036799907684326