INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Aksioni për ujin, Gjiknuri: Shtyhet me një muaj afati për vetdisiplinimin…

Aksioni për ujin, Gjiknuri: Shtyhet me një muaj afati për vetdisiplinimin…

Publikuar më: 12:02 29-01-2018

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka marrë pjesë në një aktivitet në lidhje me reformën e ujit.

I caktuar më 1 Shkurt, afati përfundimtar është shtyrë edhe për muajin e ardhshëm, për shkak të fluksit të madh të abonentëve që deri më tani nuk kanë pasur kontrata me ujësjellësin.

Sipas ministrit  janë mbi 9 mijë kontrata të reja të lidhura dhe rreth 4 mijë të tjera në proces. Po ashtu sipas tij janë 26 mijë matësa uji të rinj të instaluar dhe mijëra kërkesa tjera në proces trajtimi. Gjithashtu, rezulton të jenë nënshkruar gjatë kësaj periudhe mbi 7500 aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxheve të mbartura. 

Deklarata e plotë

Jam sot në këtë komunikim publik për të shprehur së pari një falenderim të veçantë për qytetarët shqiptarë të cilët i janë përgjigjur çdo ditë e më shumë apelit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.

Natyrisht, kjo sjellje nuk është diçka e papritur. Pak më shumë se tre vite më parë, shqiptarët dhanë një tjetër dëshmi të vullnetit të tyre për ndërtimin e shtetit ligjor dhe respektimin e ligjshmërisë duke mbështetur transformimin e sektorit të energjisë elektrike.  Gjatë dy muajve e gjysmë të fushatës së ndërgjegjësimit rezulton se një numër i konsiderueshëm abonentësh që figuronin në kufijtë e informalitetit janë paraqitur pranë ndërmarrjeve të ujësjellësave për tu legalizuar si konsumatorë.

Janë mbi 9 mijë kontrata të reja të lidhura dhe rreth 4 mijë të tjera në proces. 26 mijë matësa uji të rinj të instaluar dhe mijëra kërkesa tjera në proces trajtimi. Gjithashtu, rezulton të jenë nënshkruar gjatë kësaj periudhe mbi 7500 aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxheve të mbartura.  Afrimi i datës 1 Shkurt kur dhe skadon afati për vetdisiplinimin pa penalizime ka bërë që sportelet e ndërmarrjeve të ujësjellësave të përballen me një fluks në rritje të qytetarëve.

Në këtë situatë, qeveria gjen rastin tu kërkojë Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave që të zgjasin edhe me një muaj afatin e vetdisiplinimit të konsumatorëve familjarë duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë.

Kjo zgjatje e afatit deri në 28 Shkurt vlen në këtë rast vetëm për konsumatorët familjarë. Ndërkaq, ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të nisin më 1 Shkurt një verifikim derë më derë në çdo subjekt biznesi. Është përgjegjësia e ujësjellësave që të bëjnë verifikimin në terren duke ndëshkuar çdo subjekt që në kundërshtim me ligjin abuzon me ujin e pijshëm.

Ky proces do të monitorohet ngushtësisht nga qeveria qendrore edhe përmes strukturave të Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.  Gjej rastin tu bëj thirrje Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave që të miratojnë dhe bëjnë publike skemat lehtësuese për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara. Gjithashtu, të zgjasin oraret dhe shtojnë sportelet e shërbimit për tu ardhur në ndihmë qytetarëve duke shmangur rradhët dhe shkurtuar kohën e shpenzuar.

Do doja të informoja opinionin publik se në ditët e ardhshme do të nënshkruhen edhe kontratat e performancës mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Bashkive që administrojnë ndërmarrjet e ujësjellësave.  Këto kontrata do të jenë testi lakmues për mbështetjen që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore me fonde e investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve.

Siç e kemi nënvizuar, do të mbështeten me fonde investimi në ujësjellësa ato bashki që do të tregojnë se janë në gjendje të performojnë pozitivisht.  Duke e mbyllur, ripërsëris apelin për çdo konsumator familjar: Shfrytëzoni afatin deri në 28 Shkurt për tu vetdeklaruar dhe legalizuar si konsumatorë të rregullt të ujit të pijshëm, pa penalitete.

Article Logic
Execution time: 0.0040102005004883