Aktori turk, Ufuk Bayraktar, i cili u bë tepër i njohur me rolin e tij në serialin “Ezel”, po shlyen dënimin me 6 muaj heqje lirie.
36-vjeçari ishte përfshirë në një zënkë me armë në vitin 2007. Ai u gjykua edhe për akuzat për armëmbajtje pa leje, duke u dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili do të përfundojë në muajin Mars.
Bajraktar njihet në Shqipëri për rolin e Dajës Ramiz (vitet e rinisë) në serialin e famshëm “Ezel”. Media turke ka publikuar foton e tij të parë nga burgu. Fotoja ku shfaqet me tespihe në dorë para flamurit turk, është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve, aktori po i kalon ditët e burgut duke shkruar skenarë filmash, duke lexuar libra dhe duke u stërvitur.
Bayraktar tha se si shumë të rinj të tjerë, edhe ai ishte përfshirë në një zënkë në vitin 2007, ndërsa policia i kishte gjetur asokohe edhe armën pa leje të të atit. “Në çdo të mirë ka një të keqe dhe në çdo të keqe ka një të mirë. Do të shihemi pas 6 muajsh, mbetshi me shëndet”, shkroi Bajraktar, në postimin e tij të fundit në rrjetet sociale.