INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Akuza dhe tension i lartë: Clinton triumfon debatin, Trump mund të mos pranojë rezultatin [VIDEO]

Publikuar më: 08:15 20-10-2016

Debati i tretë dhe i fundit mes kandidatëve presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump u mbajt në Las Vegas dhe përfshiu tema mbi  gjykatën e lartë, imigracionin dhe ekonominë, politikën e jashtme dhe abortin

Hillary Clinton fitoi debatin e fundit presidencial, kundër Donald Trump me një diferencë 13 pikësh sipas një sondazhi të CNN / ORC, duke i dhënë demokrates një fitore të pastër në të treja debatet presidenciale të këtij viti.

Zonja Clinton premtoi se do ta mbrojë abortin e legalizuar, ndërsa zoti Trump nuk pranoi të thoshte direkt nëse mendon se vendimin për legalizimin e abortit duhet përmbysur. Zoti Trump tha se zonja Clinton do që të shpallë amnisti për imigrantët e paligjshëm. Ai gjithashtu akuzoi zonjën Clinton se do që të hapë kufirin.

Clinton tha se ajo është më e zonja për sigurinë e kufirit, por se ajo është kundër planeve të zotit Trump. Ajo tha se planet e tij për të dëbuar mijëra banorë pa dokumenta, do të ndanin familjet. Përsa i takon ekonomisë, zonja Clinton tha se plani i saj ekonomik do të krijojë shumë mundësi për amerikanët e klasës së mesme. Ajo tha se plani i saj do të hapë 10 milionë vende të reja pune dhe se do t’i gjejë fondet duke i detyruar të pasurit dhe korporatat që të paguajnë përqindjen e duhur të taksave.

Kandidati republikan i hodhi poshtë përsëri akuzat se kishte ngacmuar disa gra. Ai tha se nuk “i kishte kërkuar falje as gruas së tij”, pasi siç tha ai, nuk kishte bërë asgjë. Ky pohim bie ndesh me një intervistë të bashkëshortes së tij Melania, ku ajo thotë se ai kishte kërkuar ndjesë. Zonja Clinton akuzoi zotin Trump se kishte vënë në shënjestër “dinjitetin dhe vetëbesimin” e grave dhe se të gjitha gratë e kuptojnë se çfarë ndjesie shkakton një gjë e tillë.

Donald Trump mund të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit nëse ato nuk dalin ashtu siç ai e mendon. Ky ka qenë pohimi që kandidati republikan ka bërë në debatin e tretë për zgjedhjet presidenciale përballë Hillary Clinton.

“Do t'ju them kur të të vijë koha. Do ju mbaj në suspancë”, i është përgjigjur Trump gazetares së Fox News, e cila e pyeti nëse ai do ta pranojë Clinton si Presidente nëse ai do të humbasë.

Trump, i cili nuk i dha dorën kandidates demokrate pas debatit, ka ringritur akuzat se zgjedhjet po “manipulohen” nga gazetarë të pandershëm në favor të Clinton dhe se miliona njerëz kanë fituar të drejtën e votës edhe pse nuk duhej të ishin në lista.

“Kjo është e tmerrshme” ka qenë reagimi i Clinton ndaj idesë se një kandidat për president vë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve.

Debati u mbyll siç filloi: pa shtrëngim duarsh të kandidatëve.

Article Logic
Execution time: 0.0035631656646729