INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Akuzat e Berishës, reagon UKT dhe Bashkia e Tiranës: Nuk është hapur diga në Liqenin e Bovillës

Akuzat e Berishës, reagon UKT dhe Bashkia e Tiranës: Nuk është hapur diga në Liqenin e Bovillës

Publikuar më: 23:31 01-12-2017

Shqipëria po kalon një situatë kritike për shkak të reshjeve të shiut të cilat kanë pushtuar vendin duke shkaktuar përmbytje dhe bllokim të lëvizjes së njerëzve.

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook ka publikuar mesazhin e një shtetasi në Derven të Fushë-Krujës i cili kërkonte mbylljen e portave të Bovillës pasi po mbyteshin.

Por këto akuza janë hedhur poshtë nga UKT e cila deklaron se diga e Bovillës nuk është hapur dhe se lajmet e përhapura nuk ajnë të vërteta.

Deklaratë e Bashkisë së Tiranës dhe UKT:

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë shpreh keqardhjen e thellë për keqinformimin e qëllimshëm që disa deputetë dhe të zgjedhur lokalë të Partisë Demokratike, përfshirë këtu edhe Sali Berisha, kanë bërë gjatë pasdites së sotme, lidhur me situatën e krijuar në liqenin e Bovillës.

UKT dëshiron të bëjë me dije se niveli i ujit në Liqenin e Bovillës aktualisht është në kuotën 315.9 metra. Ndërkohë që, kuota para fillimit të reshjeve ishte 310 metra. Hapja e digës është një proçes normal që kryhet sa herë që niveli i liqenit kalon kuotën maksimale prej 318 metrash.

Vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht Policinë e Shtetit, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

Deri në këto momente, deklarojmë se nuk ka qenë e nevojshme hapja e portës shkarkuese të digës, duke qenë se thatësira e muajve të kaluar kishte ulur ndjeshëm nivelin e liqenit. Për këtë arsye, rritja e kuotës me 6 metra brenda një kohe kaq të shkurtër është brenda nivelit normal të tij.

Prandaj, deklarata e sotme e z. Berisha se prania e ujit në zonën e Laprakës është shkaktuar si pasojë e hapjes së digës së Bovillës është krejtësisht e pavërtetë dhe hidhet poshtë lehtësisht nga skica e thjeshtë që po i bashkëngjisim kësaj deklarate.

Për më tepër, gjeografikisht Bovilla ndodhet në veri të Tiranës, pastaj në jug vjen Kamza e Paskuqani dhe ndahen nga Tirana me Lumin e Tiranës, i cili për herë të parë nuk u përmbyt. Si mundet një liqen të kapërcejë një lumë e të përmbysë një lagje matanë, në anën tjetër!?

Gjithashtu, informojmë se stafi i UKT-së është duke monitoruar situatën e liqenit, si për nivelin e turbullirës ashtu edhe për kuotën, në mënyrë të vazhdueshme.

Article Logic
Execution time: 0.003727912902832