Një tjetër sirenë alarmi lëshon shteti fqinj Itali për mafien shqiptare. Përfshirja e familjeve mafioze shqiptare në transport droge i ka kaluar kufijtë e Europës, e kanë shkuar deri në Kolumbi. Sipas mediave italiane mafiozët shqiptarë kanë lidhje të forta me trafikantët kolumbianë të drogës. Madje ata bëjnë transport të kokainës nga Kolumbia në drejtim të Italisë. Mediat kanë dalë dhe në shifra konkrete, kur shkruajnë se shqiptarët kishin marrë përsipër të trafikonin 1.5 ton kokainë nga sasia prej 8 tonësh, që u kap dy ditë më parë në Kolumbi dhe se ata do ta dorëzonin drogën tek Ndrangheta.
Ndrangheta njihet si organizata më e madhe mafioze italiane, që vepron në jug të Italisë. Mediat italiane theksojnë se një pjesë e kokainës do të kalonte nëpërmjet Shqipërisë për t’u shpërndarë në disa vende të BE.