Autoritetet gjermane kanë udhëzuar pasagjerët, që të anulojnë fluturimet për shkak të një alarmi sigurie. Ai është dhënë në aeroportin ndërkombëtar të Këlnit në Gjermani. Nuk dihen ende detaje të sakta rreth kësaj ngjarje, ndërkohë që një helikopter policie po patrullon mbi aeroport.
Zyrtarë të aeroportit bëjnë të ditur se të dy terminalet, Terminal 1 dhe 2, janë bllokuar, pasi një grua ka ecur drejt zonës së pistës duke thyer rregullat e sigurisë pa kaluar tek kontrolli.
Mediat lokale gjermane thonë se persona të paautorizuar kanë hyrë në pistën e avionëve dhe një kamera e terminalit është fikur.
Një zëdhënës i aeroportit të Këlnit ka folur për “The Sun” se evakuimi është bërë për shkak të protokollit të sigurisë, ku të gjithë pasagjerëve i është kërkuar të largohen dhe të rikthehen më pas për të bërë kontrollin.