Personat që ishin në një qendër tregtare në Bruksel janë evakuuar pas një alarmi për bombë. Autoritetet e këtij vendi janë vënë në alarm pas sinjalizimeve për një person me sjellje të dyshimtë që lëvizte në qendrën tregtare “City 2”.
Sipas mediave ndërkombëtare, policia ndërhyri menjëherë duke arrestuar personin e dyshimtë, i cili thuhet se mbante një rrip me eksploziv në trup. Policia ka rrethuar të gjithë zonën, ndërsa lëvizja e automjeteve në bulevardin “Jardin Botanique” është bllokuar.
“City 2”, që ndodhet në qendër të Brukselit, është konsideruar si një ndër zonat më të rrezikuara nga sulmet terroriste. Kryeministri i vendit Charles Michel deklaroi se situata është shumë e rëndë, ndërsa bëri thirrje për mbledhjen e Këshillit të Emergjencave.
Tre muaj pas sulmeve të përgjakshme të 22 marsit, Brukseli mbetet ende në alarm. Një ditë më parë pati një alarm të rremë për bombë në aeroport, ndërsa të shtunën u dyshua për një atentat në “Fan zone”, ku tifozët ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen Belgjikë-Irlandë.