INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Alarm - Po “fiken” bizneset…

Alarm - Po “fiken” bizneset…

Publikuar më: 11:27 19-04-2016

Banka e Shqipërisë në një anketim të fundit ngre alarmin se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike. Me këtë analizë banka lajmëron një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti.
Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës te mbajnë prodhimin në nivele të ulëta. Sipas Monitor situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.
Tregtia dhe shërbimet janë vënë në presionin e konsumit të dobët. Treguesi për herë të parë pas dy dekadash ra në nivele negative më 2015.

Article Logic
Execution time: 0.0036189556121826