Fondi Monetar Ndërkombëtar ka folur për koncesionet në Shqipëri duke paralajmëruar për rreziqet fiskale që ato mund të sjellin për buxhetin dhe ekonominë vendase.
Në raportin e fundit për Shqipërinë, ky institucion nënvizon se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje të detyrimeve potenciale ndërkohë që kontratat janë të hartuara dobët dhe mund të pengojnë eficencën e investimeve publike.
Shqetësim për koncesinet i referohet shifrave të cilat kanë pësuar rritje të shpejtë në raport me GDP.
“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi i FMN propozoi hapa të mëtejshëm për të kontolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31%GDP-së, që mbulohen më shumë se 220 projekte, në buxhetin e 2019 dokuementet parashikojnë një listë potenciale që arrinin në 15% të GDP-së” thuhet në raport.
Fondi Monetar ka rekomanduar që të forcohet dhe konsolidohet vendimarrja lidhur me procesin e investimeve publike duke nënvizuar sigurimin e vlerës së parasë në këto projekte.
Një tjetër problematikë e hasur sipas FMN është që vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimeve vazhdojnë të jenë të fragmentuara në varësi të burim i financimit të projektit.
FMN flet dhe për rëndësinë e marrjes së masave për të mos krijuar më detyrime të prapambetura, pasi këto dëmtojnë aktivitetin ekonomik dhe minojnë besimin në sektorin publik.