INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Alarmi i Petrit Vasilit. Vendi në duart e parave të krimit

Alarmi i Petrit Vasilit. Vendi në duart e parave të krimit

Publikuar më: 12:41 02-03-2018

Pas kapjes së 613 kg kokainë kolumbiane në Durrës, politika është trazuar sërish. Akuzat e opozitës janë intensifikuar kundër mazhorancës, ndërsa numri një i grupit të LSI Petrit Vasili ka ngritur alarmin për kriminalizimin e vendit. Sipas Vasilit vendi është në duart e parave të pista, çka paralajmëron tërmet të madh në politike, ekonomi por dhe në të ardhmen e vendit. 

Petrit Vasili:
“Shqipëria është shndërruar në një nyje të trafikut boteror të drogës, gjeografia e të cilit lëviz me dhjetëra mijëra kilometra dhe ku qarkullojnë miliarda euro. Është pasoja më tragjike e qeverisjes se kryeministrit, i cili me një strategji kriminale të mirëmenduar , çoi në kriminalizimin e jetës politike ekonomike dhe shoqërore të vendit nëpërmjet drogëzimit kapilar të vendit. Shndërrimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës është një fakt tronditës dhe kushdo që do të mbyllte sytë, apo do të pajtohet me këtë, politikan, media apo individ qofshin, do të bënin një faj të rëndë në planin personal dhe do të demostronin një urrejtje pa kufi për vendin dhe familjen. Është një situatë e cila kërkon një reagim shumë të fortë dhe pa asnjë kompromis pasi Shqipëria rrezikon sot si kurrë më parë shpërbërjen e saj më të rëndë shoqërore dhe kombëtare. Pasojat e këtij kriminalizmi janë afatgjata dhe dëmi i jashtëzakonshëm, si në planin institucional ashtu edhe atë moral, si në dekurajimin e rëndë të sipërmarrjes së lirë dhe të frymës së tregut ashtu edhe të rikrijimit të besimit pas një kriminalizimi ekonomik dekurajues dhe demotivues që thellon varfërinë dhe papunësinë në mënyrë të skajshme. Kriminalizimi i thellë i ekonomisë ka përfshirë edhe sistemin bankar i cili nuk është barrierë e transaksioneve të drogës por jeton në mjaft raste falë tyre dhe kjo ka destrukturuar ekonominë, duke e bërë atë të pafuqishme përballë ekonomisë informale kriminale që qëndron përballë si dhe e bën atë që të jetë i detyruar të shohë drejt shteteve të tjera për të mbijetuar, duke larguar kapitale të ligjshme nga vendi. Kjo e ka lënë tërësisht vendin në duart e parave te pista dhe të një aventurizmi si të piramidave që vjen natyrshëm si pasojë e kriminalizimit kapilar ekonomik. Tronditja e kursit të euros është lëkundja e parë tektonike e një tërmeti financiar që po mbërrin. Kushdo që mbyll sytë, që nga prokuroria shqiptare e deri tek agjencitë e inteligjencës vendase dhe të huaja, ngarkohen me një përgjegjësi tepër të rëndë pasi pasojat për Shqipërinë do të jenë fatale por edhe ato rajonale nuk do të jenë më të pakta”.
LSI këmbëngul se një tjetër rrezik për ekonominë shqiptare janë dhe cështjet në arbitrazh
Petrit Vasili:
“Është një rrezik shumë serioz dhe me pasoja katastrofale në rrafshin ekonomik por edhe atë politik. 2 miliardë euro që rrezikon Shqipëria në gjyqe dhe arbitrazhe ndërkombëtare do të ishte një tragjedi ekonomike e dimensioneve të frikshme. Ja kam bërë prezent këtë çështje me shkrim kryeministrit, kur shërbeja si ministër i Drejtësisë si pasojë e raportimit të avokatit të shtetit. Kryeministri nuk ka kryer asnjë veprim që me marrjen e këtij informacioni dhe nuk kam pasur as edhe një minutë të vetme diskutim me të për këtë çështje ndonëse ai gjente kohë që të interesohej për çështje nga më të rëndomtat, edhe emërime krejt të parëndësishme”.

Article Logic
Execution time: 0.0040469169616699