INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Albin Kurti: Bojkoti i PAN-it, mosnjohje e rezultatit të zgjedhjeve

Albin Kurti: Bojkoti i PAN-it, mosnjohje e rezultatit të zgjedhjeve

Publikuar më: 10:17 17-08-2017

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaroi se Aktgjykimi i 2014-së i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë PAN-it të drejtë ekskluzive për fuqi brenda Kuvendit.

Sipas tij, PAN po e përdorë këtë fuqi padrejtësisht kundër Kuvendit. Kurti shkruan se bojkoti i PAN-it është opozitarizëm ndaj Kuvendit të Kosovës dhe zëvendësim taktik për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve.

MESAZHI I KURTIT NË FACEBOOK:

“Kur ta hedh populli

Aktgjykimi AGJ700/2014 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i datës 26 gusht 2014, ia ka vënë kazmën Republikës Parlamentare. Ky vendim i jep përparësi absolute të parit në garë në raport me shumicën e tërësisë. Për të propozuar kryetarin e Kuvendit, në vend se ata që e formojnë shumicën pas zgjedhjeve ta kenë të drejtën, tash koalicioni parazgjedhor që del i pari në zgjedhje e ka veton. Ky aktgjykim i ka dhënë PAN-it të drejtën ekskluzive për fuqi përbrenda Kuvendit, porse ata e përdorën këtë fuqi ekskluzivisht për padrejtësi kundër Kuvendit. E braktisën mbledhjen konstituive më 3 gusht dhe nuk u kthyen në asnjërin prej tri vazhdimeve të saj. Më 9 gusht premtuan se do të jenë gati për 17 ose 18 gusht, ndërsa sot premtuan që do të jenë gati për 24 gusht.

Nuk e dimë nëse do të vijnë që të rrinë me 24 gusht. Por, e dimë që do të bëhen plot tri javë që ulëset e kolonës së mesme në sallën e mbledhjeve plenare do të mbeten të zbrazëta. Thua se deputetët e PAN-it dëshirojnë që ulëset t’i kenë me vete kudo që ata ndodhen, prandaj ato ngelen bosh meqenëse janë karrige të palëvizshme e s’i marrin dot me vete. Bojkoti i PAN-it është opozitarizëm ndaj Kuvendit të Republikës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndaj kryesuesit Adem Mikullovci, deputetit më të moshuar por assesi më të vjetër, dhe, dyfishimit të forcës progresive që u bë partia më e madhe në vend. Në thelb të bojkotit të PAN-it ndodhet mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Bojkoti i PAN-it është zëvendësim taktik për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve.

Po të mund të ktheheshin në muajin maj, kurrë nuk do ta ndërmerrnin nismën për zgjedhje të parakohshme nëpërmjet mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Se PDK nuk i deshi zgjedhjet e parakohshme për ta ribërë Kadri Veselin kryeparlamentar dhe as për ta bërë Ramush Haradinajn kryeministër, apo jo? Të tjera pazare kishin në mendje veçse populli me 11 qershor ua prishi pazaret e i la pa mend. Qytetarët e befasuan regjimin i cili nuk mund t’i befasonte më qytetarët. Aq i keq që ishte bërë ai. Disa prej tyre nuk mund të dalin nga pazari sepse pazari është i vetmi planet ku mund të ketë jetë për ta. Qëndrimin në pazar e kanë lëvizje të detyrueshme. Të tjerët, ose nuk duan ose nuk guxojnë të ikin nga pazari. Meqë u shemb pazari parazgjedhor, e s’dalin dot prej tij, ata po e zgjerojnë kornizën e pazarit. Vazhdimi i mbledhjes konstituive sipas tyre duhet të presë për dorëzimin e listave me kandidatët për zgjedhjet lokale, e, pastaj, kushedi, ndoshta vjen edhe ndonjë adresim te Gjykata Kushtetuese. Shtohen zvarritjet që të blihet kohë e qeveria të formohet në kuadër të pazarit të ri të balotazheve në fillim të nëntorit.

Mirëpo, edhe këtë zgjerim pazari qytetarët do t’ua prishin me 22 tetor. Ka nisur epoka kur populli do të mësohet të fitojë e politikanët do të mësohen të humbin. Ky është mësimi i demokracisë. Ama duke mos harruar atë që thoshte Sami Frashëri: ‘Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit’. Bëhuni gati për një hedhje të re. Nuk besoj që lidhja e rripave u bën punë”.

Article Logic
Execution time: 0.0036170482635498