INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Albin Kurti për bashkimin e shqiptarëve: Kosova me Shqipërinë do ndjekin shembullin e Gjermanive [VIDEO]

Albin Kurti për bashkimin e shqiptarëve: Kosova me Shqipërinë do ndjekin shembullin e Gjermanive [VIDEO]

Publikuar më: 19:27 03-10-2017

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, flet sërish për idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.  Kurti ka zgjedhur ditën që shënoi bashkimin e dy Gjermanive për të hequr një paralele mes vendeve.  “Data 3 tetor festohet përvit në Gjermani si “Dita e Bashkimit”, dita kur dy shtetet gjermane të krijuara pas rrethanave të Luftës së Dytë Botërore, më në fund u bashkuan”-shkruan ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.  Më tej ai kujton se Dy Gjermanitë u bashkuan edhe pse fqinjët dhe fuqitë e mëdha evropiane ishin kundër këtij bashkimi.  Albin Kurti sjellë në vëmendje faktin se tani po thuhet se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pamundshëm e i paleverdishëm, se fqinjët janë kundër e se fuqitë e mëdha nuk duan.  Deputeti i Vetëvendosjes kujton se Gjermanitë, nuk u bashkuan me një hap të vetëm.  Ato fillimisht nënshkruan traktatin për unifikimin e politikave monetare, ekonomike e sociale, pastaj një sërë marrëveshjesh të tjera, e në fund bënë veprimin më të mirë për popullin e tyre e për krejt Evropën, u bashkuan. “Ne sot u urojmë gjithë gjermanëve dhe Gjermanisë Ditën e Bashkimit, dhe i mbajmë si shembull për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”-shkruan Kurti . Ky bashkim, sipas tij do të ndodhë në aleancë me SHBA-të dhe Gjermaninë, atëherë kur Kosova e Shqipëria të qeverisen nga politikanë të mençur, të ditur, të ndershëm e kombëtarë. E për Albin Kurtin kjo ditë nuk është e largët!

Article Logic
Execution time: 0.003849983215332