INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Albin Kurti sulmon Thaçin: Dikur tradhtar, sot një kolaboracionist i Serbisë

Albin Kurti sulmon Thaçin: Dikur tradhtar, sot një kolaboracionist i Serbisë

Publikuar më: 09:23 13-09-2018

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sulmon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi duke e quajtur atë tradhtar dhe kolaboracionist të Serbisë. “Veçse tradhtinë (ndaj shqiptarëve) e ka bërë moti Thaçi. Sot ai është veçse një kolaboracionist i Serbisë” shkruan Kurti në një postim në facebook.
Postimi i Albin Kurtit
Dikur tradhtar, sot veçse kolaboracionist
“… u ndjeva më i miri, hodha shtat, u zbukurova, thuajse doja fyerje.” – Albert Camus, te novela “Renegati ose një mendjeprishur”
Gjashtë vjet të dialogut të Thaçit me Serbinë: nuk u shpërbënë strukturat paralele të Serbisë, nuk u kthyen të pagjeturit, nuk u kërkua reciprociteti i të drejtave, nuk u përmend diskriminimi në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk u fol për reparacionet e luftës dhe të okupimit, nuk u shtrua sukcesioni nga shpërbërja e Jugosllavisë etj.etj.
Në anën tjetër, si pasojë e dialogut 2011-2017: na u shtua fusnota e na u hoq Republika nga emërtimi, u vunë themelet e ‘Zajednicës’, u amnistuan kriminelët serbë në veri dhe u ndanë etnikisht gjyqësori e policia atje, nuk ka liri të lëvizjes në urën mbi Ibër kurse në veri lëvizin vetura pa targa, u krijua Lista Serbe, u sabotua interkoneksioni energjetik me Shqipërinë, nuk na i kthyen librat kadastralë, na e bllokuan anëtarësimin në UNESCO dhe INTERPOL, i shtuan arrestimet ndaj zyrtarëve tanë shtetërorë etj.etj.
Debakël, gjithsesi. Thaçi nuk ka as kredibilitet dhe as legjitimitet për dialog me Serbinë. Prandaj, nuk është e rastësishme që ai nuk ka as mandat e as platformë. Veçse tradhtinë (ndaj shqiptarëve) e ka bërë moti Thaçi. Sot ai është veçse një kolaboracionist (i Serbisë). Sepse, gjithmonë Beogradi ka dëshiruar që Prishtina ta kërkojë shkëmbimin territorial: asisoj ne heqim dorë nga veriu ndërkohë që ajo s’e jep Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Article Logic
Execution time: 0.0035319328308105