INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Alfio Rrotani tregon çmendurinë e tij më të madhe dhe ka bërë shumë mirë! [FOTO]

Alfio Rrotani tregon çmendurinë e tij më të madhe dhe ka bërë shumë mirë! [FOTO]

Publikuar më: 21:43 02-03-2018

Emrin e tij e njohim prej disa kohësh, ashtu sikurse nuk i ka munguar pothuajse asnjëherë ekranit. Alfio Rrotani, ai që rrëmbeu pëlqimin e publikut që nga koha e Masterchef, tashmë është jo vetëm një shef i mirëfilltë kuzhine, por jep kontributin e tij edhe në mësimëdhënie, për studentët e apasionuar pas gatimit, si dhe së bashku me Indritin, ofrojnë receta të shijshme për shikuesit në emisionin “Kripë dhe Piper” në IN Tv.

alfiooo.jpg

Ndoshta nuk e keni ditur, por një pjatë në veçanti mban emrin e Alfios. Cila është kërkesa më e çuditshme e ardhur nga një klient? Po gatimi që ka më përzemër? A ka ndonjë specialitet që Alfio nuk e arrin 100%? Këto e shumë të tjera, Rrotani i rrëfen në këtë intervistë për bordo.al, ashtu sikurse zbulon ekskluzivisht për ndjekësit e BORDO recetën ideale për ta nisur pranverën me këmbë të mbarë. Lexim e gatim të këndshëm!

Sa ndikon televizioni në karrierën tënde si shef kuzhine?

Është një mënyrë e mirë për të ndarë pasionin tim për kuzhinen me një audiencë më të gjerë se ajo e një restoranti. Është një formë e mirë marketingu apo kontakti nga sipërmarrës të ndryshëm për ‘start up’ restorantesh. Sigurisht, është kënaqësi më vete kur më ndalojnë zonjat e më tregojnë që kanë gatuar recetat e mia.

Ishte ekrani një pasion i yti që në fillim apo erdhi si një zgjedhje për të cilën nuk u mendove gjatë?

Gjërat e rastësishme në jetën time kanë qenë të bukura dhe afatgjata. Kështu ndodhi edhe me televizionin; ishte rastësi që shkoi shumë mirë. Unë nuk ju them jo ofertave të ëmbla (qesh).

Në cilin kanal të huaj do dëshiroje të shfaqje aftësitë e tua prej ‘masterchef’?

Me siguri ndonjë nga stacionet italiane, të paktën me gjuhën nuk do kisha problem (qesh). Unë ndjek shumë show kuzhine në Itali dhe mendoj po të merrja pjesë do e bëja më mire se shefat italianë.

Cila është pjata që përgatit me më shumë dashuri nga të tjerat?

Kur gatuaj për njerëzit që dua nuk e ndjej lodhjen fare. Edhe pse partneria ime ka gjithmonë një kritikë të vogël për pjatat e mia. Unë sallatën ja bëj me shumë dashuri (qesh).

Një çmenduri që ti ke bërë për të arritur qëllimin që ke dashur për karrierën?

Dy pasionet e mia kanë qenë piktura dhe kuzhina. Nuk i bëja dot të dyja dhe mu desh të zgjidhja. Për t’u bërë një shef i sukseshëm, braktisa pikturën, madje profesori i pikturës akoma nuk ma fal.

Sa ndryshe e sheh veten nga fillimi i rrugëtimit tënd në kuzhinë e deri më sot?

Në fillim mendoja thjesht të bëhesha shef kuzhine i mirë. Sot jam i lumtur që i kam

kaluar pritshmëritë, kam fituar çmim, jap mësim për studentë të apasionuar pas kuzhinës dhe kam rritur nivelin e shumë restoranteve në Tiranë, që akoma punojnë me recetat e mia. Në krahasim me fillimet e mia, kam vene dhe bark se harrova (qesh).

Përshkruaj një pjatë që je përpjekur shumë ta realizosh, e prapë mendon se nuk e ke arritur aq sa duhet?

Jam i lumtur që e kam kaluar fazën ku nuk më dilnim pjatat siç doja. Mund të lodhem më shumë për një pjatë të caktuar, por nuk ndodh të mos e realizoj. Sigurisht, përveç fasuleve që bën gjyshja ime, janë të paarritshme!

Cila ka qenë kërkesa më e çuditshme që të kanë bërë lidhur me ndonjë pjatë në veçanti?

Ka patur shumë raste, por kujtoj një rast ku një klient do t’i propozonte të dashurës dhe më kërkoi të fus unazën në soufle çokollate. Përveçse nuk mu duk ide e mirë, kisha frike mos thyente ndonjë dhëmb vajza (qesh). Por, çdo gjë shkoi mirë.

Cilën recetë e ke modifikuar më së shumti, për të arritur diçka krejt ndryshe nga klisheja e zakonshme?

Më pëlqen gjithmonë të përvetësoj recetat. Më shumë e provoj me recetat tradicionale, duke i sjellë në një formë moderne, por që sigurisht ruajnë shijen.

Ka ndonjë pjatë në veçanti që mbart vetëm emrin e Alfios?

Në fakt, është një e tillë. Është një pjatë me llojshmëri peshqish të marinuar. Një ndër shefat dhe profesorët e mi ma ka lënë trashëgimi pjatën që i vendosi emrin tim.

Meqënëse jemi në prag pranvere, mund të ndash një recetë të detajuar me lexuesit e bordo.al për nisjen e stinës së re?

Dashuria vjen nga stomaku. Unë dhe e dashura ime vdesim për luleshtrydhe, kështu që recetën ta përdorin të gjithë të dashuruarit.

Mini cheese cake me luleshtrydhe

Përbërësit për 6 mini cheese cake:

Biskota, 80gr

Gjalpe, 30gr

Sheqer të zi, 1 lugë

Përr kremin:

150 gr philadelphia

120 gr rikota

75 gr panna për ëmbëlsirë

5gr xhelatinë pluhur

1 shkol vanilje

Për mbulesën me luleshtrydhe:

200 gr luleshtrydhe

30 gr sheqer

3 gr xhelatinë pluhur

Përgatitja:

Si fillim, bluajmë biskotat dhe i bashkojmë me gjalpin e shkrirë dhe sheqerin. Pasi i kemi përzierë këto tre përbërës, i ngjeshim tek baza e stampove për muffin ose stampo alumini një perdorimshme. Përziejmë philadelphian, panën, rikoten e vaniljen dhe i vendosim për t’u ngrohur në një tenxhere duke shkrirë xhelatinën brenda. Hedhim kremin e krijuar tek stampot ku kishim bazën e biskotave, duke lënë hapësirë sipër për xhelatinën e luleshtrydheve.

Grijmë me mikser luleshtrydhet bashkë me sheqerin dhe i vendosim për t’u ngrohur në një tigan dhe i shkrijmë brenda xhelatinën. Pasi është ftohur dhe mpiksur kremi që hodhëm tek stampot, i vendosim një shtresë me xhelatinën e luleshtrydheve sipër. I lejmë në frigorifer të pakten dy orë. Nxjerrim stampot nga frigoriferi, i heqim letrën anash dhe i vendosim një luleshtrydhe sipër për dekor dhe mund ta shijoni. /Bordo.al

 

Article Logic
Execution time: 0.0040309429168701