Ditën e djeshme Alketa Vejsiu paralajmëroi se do të publikojë prapaskenat e Festivalit të Këngës.
Pas shumë polemikave që pati për fituesen por edhe për organizimin, moderatorja ka vendosur të tregojë atë që ka ndodhur pas skene.
“Së shpejti në Kanalin Tim në YouTube Alketa Vejsiu Official #DocuFest gjithçka ka ndodhur në paskuintat e këtij Festivali!”, shkruante ajo dje.
Më pas moderatorja ka bërë një tjetër status të cilin nuk e dimë nëse e ka me ndonjë person në veçanti.
Ajo ka publikuar një shprehje të Piero Angela-s, ku thuhet: “Lënda e parë më e rëndësishme është truri”.
Vetë moderatorja doli e pakënaqur nga rezultati i festivalit dhe votimi i jurisë, pasi një ditë pas finales shprehu publikisht se do të dëshironte ta fitonte Elvana Gjata.
Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit, Thoma Gëllçi tha për “Panoramën” se vendimi i jurisë është i pavarur dhe i padiskutueshëm.
“Siç është në traditën e RTSH-së, së shpejti do të zhvillohet analiza e festivalit që do të jetë e hapur për shtypin dhe publikun. Debatet janë të natyrshme ndërsa vendimi i jurisë është i pavarur dhe padiskutueshëm”, është shprehur ai duke mbyllur debatin për rishikimin e votimit.