Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi mashtronte qytetarët duke u prezantuar si efektiv i Uniformave blu.
Kanë qenë qytetarët ata që kanë ngritur alarmin në Komisariatin Nr.4, për 42-vjeçarin e arrestuar, duke bërë që policia të organizonte menjëherë një operacion për ndalimin e tij.
“Në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në rrugën “Imer Ndregjoni”, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete dhe prezantohej si agjent i Policisë kriminale. Falë reagimit në kohë nga shërbimet e policisë është bërë konstatimi i shtetasit të denoncuar nga qytetarët në bazë të karakteristikave të dhënave. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Th., 42 vjeç, banues në Tiranë, me precedent penal për veprat penale “Vjedhja” e “Mashtrimi’”, njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, një dokument policie me incialet A.Th. dhe pranga metalike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.