Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka shpërndarë një lajm të mirë. Duke filluar nga muaji janar 2018, shtetasit e Kosovës mund të fillojnë të aplikojnë për të gjitha vizat emigruese drejt SHBA.
Gjatë viteve të kaluara, banorët e Kosovës aplikonin në Ambasadën Amerikane në Shkup të Maqedonisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë thotë se ka për qëllim që të ofrojë shërbime të niveleve të larta për aplikuesit kosovarë dhe është e vetëdijshme për vështirësitë e udhëtimit në Shkup, ndaj ka vendosur për zgjerimin e ofrimit të shërbimeve për viza në Prishtinë. Vizat emigruese janë për qytetarët, të cilët dëshirojnë të jetojnë përherë në Shtetet e Bashkuara. Vizat emigruese janë hapi i parë për t’u bërë banor i përhershëm i ligjshëm në Amerikë apo për t’u pajisur me green card.