Pas deklaratës së ambasadës amerikane në Tiranë, edhe ajo e Italisë përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare paralajmëron të gjithë qytetarët e saj që janë rezidentë në Shqipëri, që të tregohen sa më të kujdesshëm ditën e shtunë dhe të shmangin lëvizjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shkak të protestës së opozitës.
“Ditën e shtunë, 13 Maj do të mbahet në Tiranë një protestë e opozitës që nis rreth orës 12:00 në bulevard, në selinë e Kryeministrisë. Rekomandojmë të shmangni zonën ku do të zhvillohet protesta dhe grumbullimet e tjera përgjatë gjithë bulevardit.
Sa për ata që do të marrin pjesë në paradën “Gay(P)ride Parade”, që organizohet në një vend aty pranë në të njëjtën ditë, këshillohen që të shmangin çdo kontakt me mitingun e opozitës. Gjithashtu këshillohen qytetarët që të shmangin qëndrimin përreth çadrës së ngritur nga opozita në bulevard”, thuhet në njoftimin e ambasadës italiane.