Aktivitetet e drejtpërdrejta diplomatike duhet të çojnë në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.
Kështu ka thënë kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun duke shtuar se në ‘lojë’ do të hyjnë shumë propozime, të cilat janë presion për Serbinë.
“Tani ka shumë propozime, të cilat janë një lloj presioni mbi Serbinë për të parë se sa mund të jetë maksimumi i kërkesave dhe se ç’ka mund të pranojë Serbia. Mendoj se ne do të ballafaqohemi me shumë informacione të ndryshme në lidhje me letra e propozime, por e gjithë kjo është pjesë integrale e përpjekjeve diplomatike kur është fjala për zgjidhjen e problemeve të vështira siç është Kosova”, është shprehur Drecun.
Sipas ‘Novostit’, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka hedhur poshtë një dokument pune lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës i njohur si ‘Pakoja Amerikane’.
Vuçiç ka deklaruar se ky dokument ishte i papranueshëm për Serbinë duke shtuar se nuk do as ta informojë publikun se çfarë kishte në të.
Ndërkohë, Drecun mendon se në Amerikë nuk është praktikë e zakonshme diplomatike dërgimi i letrave dhe renditja e disa kushteve.
Ai ka shtuar se me ose pa ‘pako’, pozicioni i Shteteve të Bashkuara është plotësisht i qartë.
Drecun ka shtuar se Serbia nuk do të pranojë kurrë kërkesa të tilla që janë të dëmshme dhe nuk kanë interes për vendin.