INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Amnesty International - Në Shqipëri shkelen të drejta e minoriteteve, grave dhe kultura e pandëshkueshmërisë vijon…

Amnesty International - Në Shqipëri shkelen të drejta e minoriteteve, grave dhe kultura e pandëshkueshmërisë vijon…

Publikuar më: 11:12 24-02-2016

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International nxori raportin e saj vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku analizon 160 vende, ndër të cilat edhe Shqipërinë.
Sipas Zërit të Amerikës, ndër problemet kryesore që nënvizon AI në Shqipëri, janë gjendja e komuniteteve romë dhe egjiptianë, sidomos për sa i përket të drejtës për strehim; situata e rëndë ekonomike që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe mbrojtja e pamjaftueshme e viktimave të dhunës në familje.
Organizata ndërkombëtare shpreh shqetësim për shkatërrimin në korrik të banesave të shumë familjeve rome, pasi ishin identifikuar si ndërtime të paligjshme dhe autoritetet nuk kishin lejuar legalizimin e ndërtimeve në përputhje me ligjin e vitit 2014.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave, një temë që ngrihet shpesh në raportet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshihet edhe në raportin e sivjetshëm të Amnesty Internationa. Organizata thotë se megjithë kërkesat e shumta pranë autoritete të grave dhe vajzave për mbrojtje nga dhuna në familje, vetëm një përqindje e vogël e këtyre kërkesave janë miratuar, pasi viktimat tërheqin padinë si rezultat i presionit nga të afërmit.
Kultura e pandëshkueshmërisë mbetet problem, vëren në raportin e saj Amnesty International, duke përmendur ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj që nuk zbatuan urdhër-arrestet për anëtarë të Gardës Kombëtare të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011.
Ndër probleme të tjera në Shqipëri, raporti ngre gjendjen e vështirë ekonomike që ka shtyrë mijëra vetë gjatë vitit të kaluar të kërkonin strehim në Evropën Perëndimore. Po ashtu mbetet problem, thekson Amnesty International, gjendja në burgje dhe qëndra para-burgimi, ku të burgosurit dhe të ndaluarit keqtrajtohen dhe mbahen në kushte të papërshtatshme.
Amnesty International nxjerr çdo vit një raport mbi respektimin e të drejtave të njeriut në botë. Në prezantimin e raportit të sivjetshëm, organizata thekson se shumë nga të drejtat e njeriut janë aktualisht nën kërcënimin e masave të ashpra për hir të sigurisë kombëtare, apo nën presionin e interesave afat-shkurtra kombëtare. Një prirje e rrezikshme, thekson organizata, vërehet aktualisht ku qeveritë po përpiqen të kufizojnë shumë të drejta duke i cilësuar si kërcënime ndaj sigurisë. Kjo prirje, thekson Amnesty International po vë në rrezik përparimet e bëra në botë gjatë 70 viteve të fundit.

Article Logic
Execution time: 0.0035810470581055