INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Analistët, të gjithë kundër ligjit të ri për Portalet: Jo çensurë!

Analistët, të gjithë kundër ligjit të ri për Portalet: Jo çensurë!

Publikuar më: 13:13 17-03-2016

Tre analistë, dy prej tyre drejtues të portaleve online në vend kanë reagua në lidhje me ndryshimet ligjore, që priten të bëhen për mediat online, Mero Baze dhe Andi Bushati kanë qënë të ashpër në lidhje me përmbajtjen e tij. Baze dhe Bushati që në tituj e shkrimeve të tyre janë të qartë. Baze e quan shkrimin, Vizion obskurantist, për një “republikë dixhitale”, ndërsa Bushati edhe më i drejtpërdrejtë, e quan Mediat, që urren Edi Rama. Po edhe gazetari Ilir Babaramo nuk mbete pas, Një Portal një pallat është titulli i shkrimit të tij dhe ai shfaqet kritik dhe i paqartë me atë ç’ka qeveria pritet të bëjë me portalet online nëse projektligji i ri votohet.

Mero Baze ka bërë një analizë të hollësishme dhe ja ç’shkruan:

“Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj, i cili synon të formalizojë botën e faqeve online dhe të vendosë rregulla në emër të mbrojtjes së qytetarëve, që preken nga teknologjia e lirëisë së informacionit. Për ti rënë më shkurt Ministria e Inovacionit ka marrë Ligjin, Për tregëtinë Elektronike dhe e ka modifikuar duke e përshtatur dhe për ato që ajo i quan “portale”.

Përpjekja e qeverisë ka disa problem të natyrës ligjore, teknike dhe politike.

Problematika ligjore: Projektligji mban disa problem serioze në mënyrën se si do të përfshijë komentuesit online në përgjegjësinë e administratorëve online. Ekziston aty një fazë që duket si e drunjtë: “shërbimet që konsistojnë në transmetimin ose ruajtjen e informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit përmes një rrjeti komunikimi”. E thënë më thjeshtë, komentuesit këtu përfshihen si informacion i siguruar nga “marrësi i shërbimit, që ofron informacion, komunikim tregëtar, mjete të kërkimit të informacionit”.

Projektiligji ka shpikur fjalën portal dhe nënkupton me të çdo faqe online. Ky është një zhvillim që kërkon përcaktim me ligj më vete. Ky ligj e quan njësoj si një faqe online që është media e mirëfilltë dhe një faqe, që shet lavatriç apo bën shërbime biznesi. Duke qënë media ato duhet ti nënështohen një proçedure ligjore për kufizmimet, që do të pasojnë dhe nuk mund të vihen nën urdhra entesh administrative. Në Shqipëri liria e shtypit mbrohet me kushtetutë dhe jo me ligj të veçantë dhe s’mund të kufizohet nga ente administrative apo ligje të thjeshta.  Shqetësimi nga komentuesit e frustruar dhe agresive është i drejtë, por ai duhet të kalojë përmes një proçedure ankimimi dhe verifikimi. Ne nuk mund të lejojmë ata dhe të kufizojmë lexuesit e gazetës Tema, pasi kjo do ishte qesharake dhe e parealizueshme. 

Pashë aty që unë duhet të gjobitem 200 mijë lekë. Në nenin 22, pika c, thotë se “shkelje e detyrimit për sigurimin e aksesit të kontratës (neni 13.pika 1) sjell gjobë me 200mijë lekë të reja për “portal”. 

Po çfarë thotë neni13, pika 1?

Lexoni me kujdes: “Ofruesi I shërbimit (d.m.th portal) jep informacion të plotë përpara se të bëhet kërkesa nga marrsëi I shërbimit(lexuesi a komentuesi) për:

Hapat e ndryshëm proçeduriale, që do të ndiqen në lidhjen e kontratës, kushtet kontraktore të palëve, mënyrat teknike për korrigjimin dhe identifikimin e gabimeve, përpara paraqitjes së kërkesë porosisë.

Por kjo nuk ka asnjë lidhje me portalet. Është thjesht një bashkim i dy ligjeve për dy botë të ndryshme.

Projekligji ka e nonsense teknike.

Nuk sqarohet çfarë lidhje ka portal me domain-in. Domainet me .al, varen nga shteti shqiptar (AKEP) por një portal mund të këtë ekzistencë online dhe me një domain tjetër (.com, .net, e tje)

Si bëhet në këtë rast?

Projektligji nuk sqaron asnjë çështje në lidhje me gjykatat. Pra fjala vjen si çertifikohet një provë ligjore kundër portalit, si merret, e the. Faqet hackohen në mënyrë të vazhdueshme dhe mbushen me amteriale problematike. Do vazhdohet me gjoba?

Nuk sqarohet dallimet e shoqëruara janë të përfshira dhe hostimet e huaj apo vetëm ato vendase?

Pra projektligji është i tëri i nxituar dhe nuk reflekton botën e re online, ata që e kanë përgatitur nuk janë profesionistë.

Së fundmi po ndalem tej qëllimi i pathënë i projektligjit, që është frenimi apo ndalimi i fyerjeve të vazhdueshme online, të cilët janë vërtetë një bakterie e bezdisshme e zhvillimit të botës online. Përfytyroni afrimin e zgjedhjeve, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, që punësojnë nja 100 vetë të merren me faqet online kundështare të tyre dhe ti ankimojnë ato për qef nga 100 herë tek KMDP për çdo gjë që atyre nuk u pëlqen. 

Çdo të ndodhë ose do të mbushen me gjobat subjekte në fjalë o subjekti do të pastrojë vetë faqen nga informacioni. Kjo do të ishte fundi i shtypit të lirë.”

E me sa duket loja u hap menjëherë ka reaguar dhe analisti Andi Bushati, që ka në administrim një portal online. Ai thotë se shkrimi i kolegut, Mero Baze, i  binte këmbanave të alarmit, lidhur me një ligj, që po harton qeveria Rama, "për disiplinimin" e mediave online.

Ja si analizon Bushati:

“Si njëri nga gazetarët që e ka provuar egërsisht në kurriz dhunën e pushtetit, duke pranuar të ngërthehet në një luftë me të gjitha llojet e armëve kundër tij, Baze, e ka ndjerë shpejt rrezikun e kësaj masakre, që po i qëndron si shpatë mbi kokë mediave më të reja të këtij vendi. Ndaj, ai, i kishte zbërthyer në detaje shumë nga kundërthëniet absurde të këtij projekti. Mjafton vetëm njëra prej tyre, ajo që theksonte se kjo nismë bie ndesh me kushtetutën e këtij vendi, që garanton një shtyp të lirë, për ta bërë atë jo vetëm nul, por edhe të dyshimtë. Dhe pikërisht këtu, tek dyshimi që lind mbi këtë nismë, dua të ndalem për të shpjeguar se përse po e kërkon atë qeveria e Rilindjes. Kur socialistët u rikthyen në pushtet, për herë të dytë në këtë çerek shekulli demokraci, ashtu si pas vitit ’97, ata u shoqëruan nga aureola e një çlirimi të shoqërisë, e cila pillte automatikisht edhe një frymëmarrje më të madhe në media. Por nëse ngritja në pushtet e Nanos eci krahpërkrah me lindjen dhe zhvillimin e TV-ve private, ajo e Ramës u shoqërua nga një tjetër proçes: lulëzimin e mediave online. Shumë gazetarë të njohur, grupime reporterësh kronike dhe politike, kulture dhe sporti, mode dhe showbizi, vendosën t'u thonë "mjaft" gazetave të ngritura mbi parimin "Një pallat, një media". Ata vendosën të shkëputen nga zgjedha e oligarkëve të shtypit, për të kërkuar më shumë liri dhe më shumë hapsëira për profesionin e tyre.

Natyrisht, beteja qe më e lehtë, sepse mediat online (lapsi.al është njëra prej tyre) kanë kosto ku e ku më të lira. Për to nuk duhen shpenzime të mëdha teknike, pagesë shtypshkronje, transporti gazetash, përqindje për shitësit në kioska e kështu me radhë.

Ky revolucion i mundësuar nga zhvillimi teknologjik, solli me vete edhe një oportunitet të ri. Pushteti i informacionit, u largua nga ndërtuesit e pallateve, nga shkatërruesit e bregdetit, nga gjobaxhijtë e bizneseve dhe sekserët e politikës, për t'u rikthyer (së paku përkohësisht) në duart e gazetarëve. Ata (me të mirat dhe qindra mëkatet e tyre) u ribënë drejtues realë të mediave të reja, që kishin themeluar vetë. Kështu, nëse ardhja e parë e socialistëve në pushtet, prishi monopolin e të vetmit ekran shtetëror, TVSH-së të drejtuar nga militantë të tipit Buçpapaj, Pollo, Sakajeva, rikthimi i tyre i dytë u shoqërua me zbehjen e pushtetit të Koçove, Sandërve, Irfanëve.

Lindja dhe shumimi i mediave online, jo vetëm nxorri në pah fallcitetin e makinerisë së tyre të propagandës, të ngritur vetëm për përfitime familjare, por njëkohësisht zbehu edhe monopolin mbi informacionin që i përcillet publikut. Nuk është rastësi që sot, pjesa më e madhe e skandaleve të qeverisë së re, e aferave të saj korruptive, e tenderave për miqtë dhe koncesioneve për klientët, janë zbuluar dhe denoncuar nga mediat online. Nuk është rastësi që sot, të gjitha “mediat e vjetra” nuk kanë më as minimumin e ndikimit (për të mos përmendur për arsye etike Lapsin), që ka faqja online e BIRN-it.

Megjithëse kanë në dispozicion emisione investigative, me dhjetra të punësuar, tolk shoë të pafundme, redaksi lajmesh të mbushura me reporterë të tredhur, mediat tradicionale janë kthyer në unanimitet në krehëse bishti të qeverisë. Prandaj Edi Rama, ndryshe nga pushteti i parë i socialistëve, nuk ka vetëm një problem. Ai nuk është më vetëm para rrugës së njohur, për të dhënë leje ndërtimi për Klanin dhe Vizionin, Shekullin dhe Panoramën. Ai nuk është më vetëm përballë hallit për të dhënë liçensa të paligjshme dhe parkingje qyteti për Topin.

Ai ka një problem shumë më të madh, sepse tanimë, atij nuk i duhet të mbyllë borxhet e disa pronarëve, por zërat, gojët dhe lapsat e dhjetra dhe qindra gazetarëve. Prandaj kryeministri po tenton të ndjekë një taktikë të re: atë që nuk e blen dot me para, po mundohet ta heshtë me anë të ligjit. Nuk është e rastësishme që kjo përpjekje vrastare e neutralizimit të mediave online, vjen menjëherë pas tentativës së parë që dështoi me turp, asaj për kriminalizimin e shpifjes për gazetarët.

Si e para dhe e dyta tregojnë vetëm një gjë, që qeveria po i trembet deri në tmerr pluralitetit të zërave të rinj. Jo më kot kryeminisri nuk lë studio televizive pa ironizuar lapsat që ka kundër. Jo më kot ai shpall se nuk trembet nga lehja e qenve që duan ta pengojnë të ecë përpara. Jo më kot ai flet për makinerinë e baltës që nxin portretin e tij prej reformisti. Edi Rama, me aftësinë e një mjeshtri të propagandës, ka kuptuar një gjë. Rreziku i tij nuk janë mediat tradicionale tashmë të diskredituara. Rivali i tij nuk është opozita që ende rreket të mbrojë qeverisjen e vjetër.

Armiku i tij real, janë zërat e rinj dhe të lirë që po gëlojnë në rrjet. Prandaj dhe ai po përpiqet të gjejë rrugë ligjore për t'i neutralizuaar ato. Ky është në fakt thelbi i projektit të ri, i cili pretendon se disiplinon mediat online, duke shkuar deri në absurdin e shkeljes së kushtetutës.”

Edhe Ilir Babaramo është i qartë për këtë vendim “çensurues”, që mund t’u bëjë qeveria portaleve informative dhe jo vetëm.

Ja çfarë thotë Ilir Babaramo:

A duhen vendosur rregulla loje në tregun e medias on line?! Pa dyshim po. Por jo sipas projektit që ka paraqitur Harito e cila ka hyrë si një elefant në dyqan qelqurinash. Sepse direktiva e Komisionit Evropian që përdoret nga Amazon apo e bay për shitjen në internet nuk ka asnjë vlerë për portalet e informacionit. Për të shmangur gjuhën e urrejtjes Rama duhet të hedhë një hap të parë: të shpërndajë çetën e Fugës dhe Veliajt. Janë rreth 20 vetë, që para zgjedhjeve pushtuan zyrat e katit të tretë të selisë së PS dhe me identitete të rremë shanin me libër shtëpie këdo që mund të thoshte gjysëm fjale kundër Ramës apo Veliajt. Kjo bandë interneti më pas u zhvendos nga selia e PS dhe paguhet për të njëjtën punë nga fondet e Ministrisë së Punës dhe rishtas nga Bashkia. Janë të G 99 ose gazetarë të dështuar ata që bëjnë këtë pisllëk.

Portalet duhet ti nënshtrohen ligjit të shtypit. Nëse ai nuk mjafton le të bëhet ligj i ri , por jo ai që Evropa e përdor për të blerë sutiena në internet. Rama nuk ka përse t’ia kërkonte Haritos këtë gjë. Kaq konfuz është këto ditë sa ka harruar Remziun. Ca më tepër, që Remziu e ka një hall për të zgjidhur andej nga Ministria e Jashtme. Remziu është më i aftë nga të gjithë. Ia qep su misura. Më mirë dhe nga vetë Donato.

Liria e medias është një nga kolonat e shoqërisë. Pavarësisht se qeveritë shqiptare, herë me kërbaç dhe herë me kulaç, asnjëherë nuk e kanë fituar këtë luftë. Media shqiptare ka 1001 të zeza , por në inflacionin e saj ka dhe një të mirë: asnjë e vërtetë nuk ngelet pa thënë. Sado e zymtë të jetë situata dhe ata më pesimistët duhet të dinë një gjë: Marku i fejsbukut nuk besoj se do kërkojë ndonjë leje ndërtimi në kryeqytetin shqiptar.

 

Article Logic
Execution time: 0.0046529769897461