INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Analiza e humbjes me Zvicrën, zbardhen diskutimet në kampin kuqezi

Analiza e humbjes me Zvicrën, zbardhen diskutimet në kampin kuqezi

Publikuar më: 13:30 13-06-2016

Kombëtarja ka nisur punën. Mbrëmjen e së premtes, pas kthimit rezidencën e përkohshme në Perros Guirec, lojtarët, pasi kanë darkuar, kanë ndjekur përmes TV-së ndeshjen Angli-Rusi.

Mirëpo, menjëherë pasi ka përfunduar takimi që nuk ka lidhje me grupin ku bëjnë pjesë kuqezinjtë, trajneri De Biazi ka thirrur 23 lojtarët në një mbledhje të papritur. De Biazi ka menduar që futbollistët të shikojnë përmes videos ndeshjen që vetë kishin luajtur të premten në drekë. Kësisoj, edhe pse ora kishte kaluar 23:00, lojtarët janë ulur përpara ekranit dhe kanë parë anët pozitive e negative të takimit të humbur 0-1.

De Biazi ka ndalur videon disa herë duke u fokusuar te gabimet që skuadra ka bërë. Një situatë e sikletshme mësohet se ka qenë momenti kur në ekran është shfaqur rasti i Taulant Xhakës, i cili doli i nervozuar nga fusha dhe përplasi në pankinë një shishe uji. Burime pranë skuadrës tregojnë se për këtë gjest lojtari i ka kërkuar falje trajnerit kuqezi, i cili në pesë vite drejtim të Kombëtares shquhet për vendosjen e disiplinës.

Kur ora po shkonte 01:00, mbaroi edhe “zbori” i së premtes për kuqezinjtë që shkuan të pushonin në dhoma. Mirëpo, mëngjesi i së shtunës i gjeti sërish lojtarët përpara ekranit. Fillimisht programi i paradites parashikonte një masazh rigjenerues për futbollistët që u aktivizuan me minutazh të plotë ndaj Zvicrës. Më pas, në orën 12:30 ekipi është grumbulluar në një mbledhje me trajnerin De Biazi dhe presidentin Armand Duka.

Këtë herë De Biazi kishte menduar që në video të shfaqej ndeshja që kundërshtari i radhës, Franca, fitoi kundër Rumanisë më 10 qershor. Pas analizës për kundërshtarin, para ekipit foli edhe kreu i FSHF-së, i cili la pas kritikat dhe u mundua të motivonte lojtarët. “Ky është shansi juaj, asgjë nuk ka mbaruar. Keni edhe dy ndeshje, jepni gjithçka dhe qëndroni me kokën lart. Nuk duhet të vuani humbjen e parë”, mësohet të ketë thënë Duka para lojtarëve.

Article Logic
Execution time: 0.003777027130127