INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Analiza e Ilir Metës për “New Europe”, BE nuk duhet të vonojë më regjimin pa viza për Kosovën

Analiza e Ilir Metës për “New Europe”, BE nuk duhet të vonojë më regjimin pa viza për Kosovën

Publikuar më: 09:46 10-01-2017

Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta ka bërë një analizë për gazeten “New Europe” për partneritetin e Shqipërisë me vendet e rajonit. Meta në këtë analizë thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit duke nënvizuar se Shqipëria ndonëse një vend i vogël nga ana gjeografike, mund të luaj një rol të madh në axhendën euroatlantike për të gjithë rajonin.
Ilir Meta:
“Shqipëria, një vend modest i Europës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja”.
Kryetari i Kuvendit, duke analizuar klimën e krijuar brenda Bashkimit Europian, si edhe zgjedhjet e ardhshme në disa vende të BE-së si Franca, Hollanda e Gjermania, thekson se në këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme rajonale për integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian, pasi kjo do t’i shërbejë jo vetëm të ardhmes së popujve të Ballkanit, por edhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë.
Ilir Meta:
“Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale, tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re amerikane, dhe të sigurt për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Europian, mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm Trans-Atlantik. Kjo do të thotë një Europë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë integrale e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase. Shqipëria do të vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona”.
Meta thotë se dialogu Serbi-Kosovë duhet të avancojë me rezultate të prekshme, ndërsa ka apeluar BE-në të mos vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës.
Ilir Meta:
“Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që do të çojmë përpara axhendën e integrimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe jetike për të gjithë rajonin.
BE-ja nuk duhet ta vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjelltë. Shqipëria do të vazhdojë të nxisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me njohjen e Kosovës”.

Article Logic
Execution time: 0.001690149307251