INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
ANALIZË/ Birrat shqiptare në kufijtë e mbijetesës

ANALIZË/ Birrat shqiptare në kufijtë e mbijetesës

Publikuar më: 13:38 06-08-2017
Prodhuesit e birrës kanë ndezur alarmin se industria, që ka investuar 80 milionë euro, është në kufijtë e mbijetesës për shkak të shitjes nën kosto nga kompani që favorizohen me fasha të ulëta akcize. Kjo, sipas tyre, po çon industrinë vendase drejt falimentit dhe vështirësitë e para ndihen te pagesa e kredive. Importet zunë 48.5% të tregut në 5-mujorin e parë të vitit, duke fituar terren në raport me të njëjtën periudhë të 2016 Po falimentojmë! Ndoshta nuk është ky lajmi më i mirë, që jep një industri e tërë, që ka investuar disa dhjetëra miliona euro dhe me disa mijë persona të punësuar në gjithë hallkat nga prodhimi tek konsumatori final. Ndërsa prej tre vitesh ka një theks të vazhdueshëm për marrjen e masave që i vendos aktorët e tregut në kushte të barabarta, sot vëmendja anemike e institucioneve i ka detyruar prodhuesit e birrës shqiptare të kthejnë masat nga vetja. Kjo do të thotë ulje rrogash, vonesa në pagesën e kredive dhe ndoshta pjesa më e dhimbshme e kësaj “reforme shpëtimi”, largime nga puna. Shoqata e Prodhuesve të Birrës e pranon se tashmë të gjendura në vështirësi kompanitë kanë marrë masat e para dhe nëse nuk do të ketë një përmirësim të situatës, kjo do të vazhdojë më tej. Por cilat janë në fakt arsyet për këtë situatë. Prodhuesit shprehen se e para lidhet me një situatë dumpingu të “legjitimuar” nga institucionet për marka të caktua importi, të cilat po rrisin dukshëm zgjerimin e tyre në treg, duke u marrë pjesë vendasve. Pesha e prodhimit vendas ka zbritur në 50% aktualisht, nga 70% që ishte në vitin 2012. Humbja e pjesës së tregut përkthehet automatikisht në më pak të ardhura për kompanitë të cilat janë të zhytura në kredi. “Kur flas për vështirësi, e kam fjalën për ulje të sasisë së shitjes dhe ulja i ka vënë në vështirësi kompanitë për të shlyer kreditë, për të paguar interesat që detyrohen ndaj bankave sepse pjesa më e madhe e investimit, si në të gjitha industrisë, është bërë përmes kreditimit në bankë. Pra, ka krijuar një zinxhir të tërë vështirësish. Kjo vështirësi e ka bërë industrinë të vuajë pasojat e një situate që ndoshta, nëse nuk ndërhyhet, mund të shkojë në prag të mbylljes dhe falimentimit total”, shprehet Luan Bregasi, një nga aksionerët e Birrës Tirana që është edhe kompania më e madhe e prodhimit vendas në treg. Të dhënat e bilancit të kompanive vendase konfirmojnë tendencën e rënies së të ardhurave për disa prej tyre dhe reduktimit të fitimeve, ndërsa treguesi e aftësisë paguese janë tashmë të përkeqësuar. Shoqata e Prodhuesve të Birrës argumenton se ka një rënie të shitjes së birrës vendase në kushtet kur birrat e importuara po ndjekin një politikë të fortë dumping-u (shitje nën kosto) dhe në këtë rast i referohet Birrës Peja, që vjen nga Kosova dhe Birrës Elbar. “Situata e vështirë e industrisë vendase ka një arsye dhe kjo lidhet me një politikë të fortë dumpingu të përshkallëzuar në tre vite, dhe konkretisht Birra Peja aplikoi çmime 15% më të ulëta sesa tonat. Sigurisht që kjo ndodhi në fillimet e saj dhe pasi fitoi terren afroi çmimet me tonat. Kjo situatë nuk e zhbën faktin që kjo birrë u tolerua në fillim. Sigurisht që ajo do të ofronte çmime më të mira sepse akciza që paguan është më favorizuese sesa ajo që duhet të paguante realisht për fashën e prodhimit që ka. Ne kemi të dhëna se kjo birrë prodhon mbi 200 mijë hektolitra dhe automatikisht një prodhues që prodhon mbi këtë fashë e ka për detyrë që të paguajë një akcizë më të lartë se birrat vendase apo ato që prodhojnë nën 200 mijë hektolitra”, shprehet Shoqata e Prodhuesve të Birrës. Politika e ndarjes me fasha për sasinë e prodhimit dhe detyrimin e akcizës së paguar nuk është diçka shqiptare, është një politikë që e ndjekin me rigorozitet edhe vendet europiane për të mbrojtur prodhimin vendas, por sipas industrisë së birrës në vend kjo praktikë në Shqipëri nuk po funksionon për të gjithë njëlloj. “Mjaft t’i referohemi vitit 2015. Në Dogana dhe në Ministrinë e Financave ekzistojnë dokumente që provojnë se Birra Peja ka prodhuar mbi 200 mijë hektolitra, madje në 2015 deklarimi i pavëmendshëm e ka nxjerrë zbuluar, por në fakt ajo u trajtua sikur nuk i përkiste kësaj fashe. Është çudi e madhe se nga dogana kosovare deklarohen në 2016 dhe 2017, 199 mijë hektolitra. Shteti shqiptar mjaft të pyesë në shtetin ku marrim malto që është Kroacia dhe do shohin që ata marrin 4 mijë tonë malto, që është e barabartë me prodhimin e 280 mijë hektolitrave birrë. Ajo që ne konstatojmë nga të dhënat që kemi si Shoqatë është fakti se kjo birrë, duke hyrë mbi 90-100 mijë hektolitra, ka rritur importet, por ka ulur nivelin e shitjes së birrave të vendit gati në këtë masë”. E nëse më herët ishte vetëm një shqetësim që lidhej me birrën nga Kosova, në horizont është shfaqur edhe një tjetër kompani që po konkurron agresivisht në tregun shqiptar, por që sërish Shoqata e Prodhuesve thekson se ka një trajtim ndryshe. Bëhet fjalë për Birrën Elbar. “Birra Elbar është birrë që vjen nga jashtë dhe ambalazhohet këtu. Ajo nuk trajtohet si një birrë importi mbi 200 mijë hektolitra çka do ta vendoste në një fashë të re akcize. Qeveria jonë ka heshtur edhe përballë kësaj situate, duke mos respektuar atë që vetë e ka përafruar me direktivat europiane. Mjaft të shohësh që kjo birrë vetëm nga Suedia merr 25 milionë kanoçe, që janë të barabarta me 135 mijë hektolitra. Duke mos llogaritur pjesën që i takon në shishe dhe që normalisht të çon te logjika se prodhimi është mbi 200 mijë. Edhe Luan Bregasi, aksioner në Birra Tirana, pranon se konkretisht Birra Peja dhe Birra Elbar, të cilat tashmë konsiderohen si birra importi, nuk u nënshtrohen rregullave dhe regjimeve që kanë produktet që vijnë nga jashtë. Birra Peja: Prodhimi kalon në tre filtra kontrolli, deklarimet reale, i kanë doganat Birra Peja, e cila duket se ka zënë një vend të rëndësishëm në tregun shqiptar, nuk është dakord me akuzat që bëhen nga ana e prodhuesve të birrës në Shqipëri. Në një reagim për Monitor, kompania vlerëson se prodhimi i saj kalon në tre filtra kontrolli dhe se deklarimet për të i kanë si doganat shqiptare ashtu edhe pala e Kosovës. Ajo thekson se kuotat e saj të prodhimit janë të njëjta me fashën me të cilën ajo taksohet për akcizë për eksportet që bën drejt Shqipërisë. “Birra është produkt, i cili i nënshtrohet taksës së akcizës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Vlerësojmë se procedurat e kontrollit dhe të deklarimit të akcizës tek prodhuesit e birrës në Kosovë janë profesionale dhe shumë strikte në Kosovë. Njësoj siç besojmë të jenë edhe në Shqipëri. I gjithë prodhimi i birrës i nënshtrohet taksës së akcizës, e cila mbikëqyret direkt nga Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Produktet, të cilat eksportohen në Shqipëri, i nënshtrohen edhe kontrollit nga ana e Doganave të Shqipërisë. Mbi të gjitha, në fund të secilit vit fiskal, është procedurë e rregullt dhe e pashmangshme që Doganat e të dyja vendeve të komunikojnë dhe t’i shkëmbejnë informacionet në lidhje me sasinë e plotë të prodhimit të Birra Peja. Ndaj, sasia e prodhuar e Birra Peja kalon nëpër tre filtra dhe shënimet mbi sasinë e prodhuar në Birra Peja i kanë në dispozicion doganat e Shqipërisë dhe doganat e Kosovës, të cilat janë brenda kuotave të parapara me ligjet në fuqi”, – thuhet në reagimin e kompanisë. Elbar: Në 2016, vetëm 61 mijë hektolitra në tregun shqiptar, nuk favorizohemi Prodhuesit vendas vlerësojnë se Birra Elbar është një birrë importi që ambalazhohet këtu, por vetë kompania që ka të regjistruar nën vete këtë markë, thekson se ajo vjen si lëndë e parë dhe këtu i nënshtrohet një përpunimi të thellë. Lidhur me sasinë ajo është dukshëm nën 200 mijë hektolitra sipas kompanisë për vitin e fundit. “Që nga viti 2015, pas një investimi prej disa miliona eurosh në fabrikën e Glinës, Alfa sh.a., ka filluar aktivitetin si prodhues vendas me Birrën Elbar. Kjo birrë është në pronësi të kompanisë “ALFA” SH.A, i regjistruar në Regjistrin e Markave sipas ligjeve në fuqi. Elbar nuk ka absolutisht asnjë lloj favorizimi, në krahasim me prodhuesit e tjerë shqiptarë (Birrën Tirana, Korça, Kaon, Stela). Aktualisht, Birra Elbar vjen si lëndë e parë dhe i nënshtrohet një përpunimi tërësisht të mëtejshëm teknologjik në fabrikën e Glinës, deri në ambalazhimin përfundimtar të saj në paketimet përkatëse. Prodhimi i Birrës Elbar në fabrikën e Glinës për vitin 2016 ishte rreth 61.000 hektolitra, shifër kjo e cila nuk ka asnjë lidhje me lëndën e importuar, e cila është shumë më pak”, – thuhet në reagimin e kompanisë. Lidhur me pjesën e tregut që zë kjo birrë në vend ALFA sh.a. shprehet se nuk disponon informacion mbi totalin e shitjeve që kanë kompanitë e tjera dhe vetë ajo. Pavarësisht kësaj vlerësohet se ka një zgjerim që në reagimin e kompanisë i atribuohet cilësisë, marketingut dhe mbështetjen që ka kjo birrë nga Agna Group, por jo si efekt i favorizimeve në treg. “Nuk duam proteksionizëm, por as të mbytemi nga dumpingu”. Kjo është kërkesa e Shoqatës së Prodhuesve në vend. Në një logjikë të ftohtë, terreni që kërkon shoqata është ai i një tregu që funksionon normalisht dhe që duhet të garantohet pa e kërkuar askush. Por pse vjen sot kjo kërkesë? Shifrat zyrtare reflektojnë se duelin e tregut në vend po e merr gradualisht importi. Mjaft të krahasojmë raportin prodhim-import në pesë muajt e parë të këtij viti dhe atë të një viti më parë ku pasqyrohet qartë se peshën në treg po e marrin të huajt. Konkretisht deri në maj 2017, në treg janë hedhur 237 600 hektolitra birrë, nga të cilat 122 360 janë prodhim vendas, kurse 115 240 hektolitra janë të importuara. Importet përbëjnë 48.5% të totalit të birrës të hedhur në tregun shqiptar, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Një vit më parë, në janar-maj totali i birrës në treg ishte 215 370 hektolitra nga të cilat 118 970 hektolitra ishin prodhim vendas dhe 96 400 hektolitra importe. Pesha e importeve në treg në këtë 5-mujor të 2016-s ishte 44.7%. Pra në vetëm një vit importet kanë marshuar me 3.8 pikë përqindjeje në terrenin shqiptar. Afrimi i importeve me prodhimin vendas, duke ndarë përgjysmë tregun vendas është një panoramë e përsëritur për Shqipërinë. Të dhënat zyrtare tregojnë se e njëjta situatë ishte në vitin 2011 kur secili nga grupet kishte 50% të tregut. Kjo ndryshoi tërësisht në vitin 2012 kur prodhimi vendas fitoi epërsi, duke zënë 70% të tregut dhe importet vetëm 30% të tij. E njëjta situatë vijoi edhe në 2013 ku në bazë vjetore, importet u tkurrën me 6.2% krahasuar me vitin e mëparshëm. Treguesit e Ministrisë së Financave reflektojnë gjithashtu të njëjtën tendencë që po përvijohet në dy vitet e fundit. Kështu importet e birrës për periudhën janar-maj kanë shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2010. Konkretisht importi në fund të majit regjistroi shifrën 115 240 hektolitra me një rritje prej 19.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shënonte 96 400 hektolitra. Nga ana tjetër, nëse këtë shifër të 2016 e krahasojmë me importet e 2015 për janar-maj, kemi një rritje me 20.8%. Pika e kthesës për importet duket se ka filluar në vitin 2015 kur importet për janar-maj shënuan rritje me 2.2% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa viti 2013 dhe 2014 do të kishin rënie të importeve për janar-maj në krahasimin me bazë vjetore. A duhet të kishte ndërhyrë Konkurrenca Prodhuesit vlerësojnë se nëse një shtet kërkon të verifikojë diçka arrin ta bëjë këtë sidomos kur kemi të bëjmë me marrëdhënien Kosovë-Shqipëri, një marrëdhënie që trumbetohet aq shumë por që duhet të bazohet në respekt reciprok të biznesit, dhe shkëmbim të ndershëm të dhënash. Deri më tani, diçka nuk ka funksionuar në njërën hallkë të dy palëve sipas prodhuesve shqiptarë. “Është jashtë çdo logjike që një birrë si Peja që ka 65% të tregut në Kosovë të prodhojë nën 200 mijë hektolitra pasi ata 100 mijë i fusin vetëm në Shqipëri. Institucionet duhet të ishin treguar më të vëmendshme, duke reaguar në kohë, pasi nuk mund të vish në një vend dhe të bësh dumping, ose nëse kjo ndodh, Konkurrenca duhet të kishte ndërhyrë. Për shumë kohë u detyruam që të mbanim çmimet në kosto dhe në disa raste edhe nën kosto, në mënyrë që t’i mbijetonim kësaj situate”. Vështirësia financiare e prodhuesve të birrës në vend i ka detyruar të marrin masa nga më të ndryshmet, por i vetmi zë që nuk është prekur nga “gërshërët” është ai për marketingun. “Në këtë situatë tregu, kur këto birra po fitojnë 20-25% të tregut na është dashur që të ulim në minimum shpenzimet në shumë drejtime, por jo në marketing. Paratë që Peja dhe Elbar arrijnë të kursejnë nga një fashë më e lirë akcize, pra që trajtohen si prodhues më pak se 200 mijë hektolitra i hedhin të gjitha për marketing. Janë bërë agresivë dhe kjo na ka detyruar që ne të ndjekim këtë ritëm, sepse ndiejmë që po humbasim terren. Jemi munduar të ulim rrogat e punonjësve, të shohim ndërhyrje të tjera, por edhe largimet nga puna nëse nuk i jepet zgjidhje kësaj situate, nuk janë të largëta. Drejtpërdrejt vetëm në fabrika janë 600 të punësuar dhe në krejt zinxhirin ky numër arrin në 5 mijë persona”. Përkeqësohet aftësia paguese e kompanive vendase Tregu i birrës, sipas Shoqatës së Prodhuesve në vend, vlerësohet të jetë rreth 100 milionë euro i ndarë mes importit dhe prodhimit vendas. E në këtë garë për të marrë pjesën më të madhe duket se prodhuesit shqiptarë, të zhytur në borxhe, po e gjejnë veten në vështirësi për të paguar detyrimet që kanë ndaj bankave, të tretëve në kushtet kur importet po shkojnë drejt dominimit të tregut. Kompanitë pranojnë se shumica, të paktën për vitin 2016, kanë rënie të fitimit me përjashtim të Birrës Korça, e cila ka sipas bilancit të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rritje të të ardhurave dhe fitimit. Kështu, të ardhurat për vitin e kaluar shënuan 771 milionë lekë, me rritje 8.1% me bazë vjetore. Fitimi para tatimit u rrit me vetëm 1% në 123 milionë lekë. Raporti i detyrimeve është 3.27 herë më i lartë sesa kapitali, kur në fakt kufiri normal për një biznes që të jetë i qëndrueshëm është 1.5 (raporti i detyrimeve ndaj kapitalit tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe dhe 1.5, është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm). Situata është e ngjashme në shumicën e tregut të birrës. Shqetësimi i kompanive lidhet me faktin që rënia e shitjeve do të ndikojë drejtpërdrejt tek aftësia e tyre paguese e detyrimeve që janë dukshëm të larta. Birra Tirana, që është edhe prodhuesi më i madh në industrinë vendase, ka një raport të detyrimeve rreth 3.98 herë më të lartë sesa kapitali. Kjo e fundit ka raportuar në vitin 2015 një qarkullim të ardhurash në masën 1.49 miliardë lekë, me një rënie prej 16% në raportin e vitit të mëparshëm. Sakaq kompania nuk regjistron fitim por humbje. Kjo e fundit ka ardhur në ngushtim nga 97 milionë lekë në 2014 në 84 milionë lekë në 2015. Rënie të të ardhurave ka pasur edhe Birra Stela, sipas sipërmarrësit të saj, Stefan Pinguli, që po amortizohet nga aktivitetet e tjera të kompanisë.
Article Logic
Execution time: 0.004533052444458