INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Andi Lila: E mundim Italinë, se kemi frikë Spanjën [VIDEO]

Andi Lila: E mundim Italinë, se kemi frikë Spanjën [VIDEO]

Publikuar më: 17:54 04-10-2017

Të luash përballë më të mirëve të botës është ëndrra e çdo futbollisti. Kjo është edhe ndjesia e Andi Lilës për duelet e radhës së Shqipërisë me Spanjën dhe Italinë. Ndeshje që çdo futbollist profesionist jeton për ti luajtur dhe ku kuqezinjtë do të provojnë të tregojnë vlerat e tyre.

“Është fat i madh për brezin tonë që na qëlloi të luanim ndaj dy skuadrave kampione të botës. Çdo lojtar i ka ëndërr ndeshje të tilla, sepse nuk luan dot përditë me lojtarë nga më të mirët në botë. Në ndeshjen e parë luajtëm mirë taktikisht deri në momentin e pësimit të golit, sepse Spanja ka indivitë që bëjnë diferencën në çdo moment. Spanja ka lojtarët më të mirë, por ne gjithmonë do të dalim në lojën tonë, sepse çdo minutë në Kombëtare nuk përsëritet sepse është fat të luash ndaj Spanjës dhe Italisë dhe të bësh gjëra pozitive.”

Të flasësh për rezultat përballë Spanjës nuk është utopi dhe mbrojtësi 31-vjeçar po pret me padurim sfidën në Alikante.

“Në çdo ndeshje, jo vetëm me Spanjën, çdo lojtar duhet të japë 200 për qind. Si në ndeshje të tjera me ekipe të forta. Spanja është ndër ekipet më të forta se ka qenë kampione bote dhe Europe. Nevojiten të gjithë komponentet lart për rezultat. Ne do të bëjmë më të mirën për të dalë nga fusha me kokën lart. Edhe Spanja si ndeshjet e tjera vlen tre pikë. Edhe lojtarët vetë e presin me shumë dëshirë këtë ndeshje të madhe dhe trajneri po e përgatit shumë mirë dhe shumë qetë. Presim me padurim të premten që të luajmë.”

E ndërsa pohon se ashtu si me De Biasin, skuadra ndihet shumë mirë edhe me trajnerin Panuçi, Lila e pranon që ëndrra e kuqezinjve drejt Kupës së Botës u vështirësua nga fakti që shorti i vendosi në kualifikuese përballë dy skuadrave kampione të botës, shkruan Supersport.

“Fati jo i mirë që na qëlluan në grup dy skuadra të nivelit të jashtëzakonshëm dhe duke llogaritur ndeshjen me Izraelin që ishte e çuditshme, normale që nuk ishte entuziazmi i periudhës së kualifikimit të Europianit kur ia dolëm. por ne mundohemi të lëmë gjurmët tonë në Kombëtare, vijmë këtu të japim më të mirën të ndihmojmë skuadrën dh që Shqipëria të ecë përpara. Kisha shumë dëshirë të ishim edhe ne pjesë e Botërorit, pasi përjetuam Europianin, që ishte gjëja më e bukur në karrierë. Por do shohim përpara. Do të japim maksimumin në dy ndeshjet e fundit dhe do të shijojmë çdo minutë.”

Me pozitivitetin që e karakterizon, Andi Lila është optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë rezultat në dy ndeshjet e fundit, madje parashikon fitore përballë Italisë në Loro Boriçi.

“Një pikë? Mendoj që në Shkodër mund të marrim tre pikë. Por, ne do të hyjmë në fushë të japim maksimumin. Siç e dinë të gjithë do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por nuk do të jemi inferiorë ndaj askujt. Nuk kemi çfarë të humbasim. Personalisht jam optimist se do të marrim rezultat, madje tre pikët e plota ndaj Italisë, për të shkruar historinë se kemi fituar përballë një kampioni të botës. Ne kemi tifozët më të mirë. e treguam në europian se kush ishim dhe ndryshuan opinion për ne si popull. Kur hyj në fushë mundohem të jap 20 për qind edhe për tifozët. Ata na kanë mbështetur gjithmonë në çdo moment dhe i jam shumë mirënjohës. Do ti thoja të vazhdojnë me këtë rritëm sepse janë më të mirët.”

Article Logic
Execution time: 0.0039310455322266