INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Antikorrupsioni i Ramës në Ministrinë e Arsimit, reagon ministrja: Ju tregoj si qëndron e vërteta

Antikorrupsioni i Ramës në Ministrinë e Arsimit, reagon ministrja: Ju tregoj si qëndron e vërteta

Publikuar më: 18:55 14-07-2017

Ministrja e Arsimit Mirela Karabina e ka quajtur të pavërtetë lajmin e publikuar në disa media pasditen e sotme, se në ambientet e MAS ka mbërritur struktura antikorrupsion e Kryeministrisë, për verifikim të veprimtarisë së Ministres.

Në një reagim për mediat, ministrja sqaron edhe urdhrin qër ushtrimin e kontrollit në Ministri, duke shtuar se nuk është për të verifikuar punën e saj, por për “zbatimin e procedurave të ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017”.

Sipas legjislacionit në fuqi, sqarohet në reagim: detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e strukturave administrative të Ministrisë së Arsimit. Për vitin 2017, deri në momentin e pezullimit nga detyra, kjo ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e z. Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, I pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre.

Njoftimi i plotë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Karabina, është njohur sot më datë 14.07.2017, në orën 14.10, me urdhrin nr. 3933 Prot., datë 14.07.2017 “Ushtrim kontrolli” të Kryeministrit, ku thuhet se: “Të ushtrohet kontroll administrativ dhe ligjor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, lidhur me zbatimin e procedurave të ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017”.

Qartësisht objekt i këtij urdhri, nuk është dhe nuk mund të jetë veprimtaria e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që sipas ligjit drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion. Ndërkohë, që sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e strukturave administrative të Ministrisë së Arsimit. Për vitin 2017, deri në momentin e pezullimit nga detyra, kjo ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e z. Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, I pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre.

Sic edhe është bërë me dije në vijimësi, për veprimtarinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, janë konstatuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës, deri në shpërdorim të detyrës, për të cilat Ministrja ka paraqitur kallëzim penal në prokurori dhe ka informuar mbi 5 herë Kryeministrin Edi Rama mbi shkeljet e kryera prej tij, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe drejtimin administrative të MAS.

Në këtë kontekst, Ministrja Karabina mirëpret grupin e kontrollit të Kryeministrisë, për të verifikuar strukturat përgjegjëse që janë të ngarkuara me menaxhimin e burimeve njerezore, gjatë vitit 2017, si dhe siguron opinionin publik se do të vendosë në dispozicion të këtij grupi kontrolli dhe më pas edhe të publikut, të gjitha faktet dhe rrethanat që provojnë veprimet e paligjshme dhe korruptive të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe funksionarëve apo ish funksionarëve të tjerë të MAS të kryer gjatë vitit 2017 dhe më parë.

Të shqetësuar nga dokumentimi i shkeljeve të kryera prej këtyre funksionarëve gjatë vitit 2017 dhe më parë, gjatë kohës ku pranë institucionit janë prezent edhe audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët janë mirëpritur dhe po bashkëpunojnë në kryerjen e detyrës së tyre, të ashtuqujturat “burime nga MAS”, kanë keqinformuar mediat se pranë Ministrisë së Arsimit ka mbërritur struktura antikorrupsion e Kryeministrisë, për gjoja verifikimit të veprimtarisë së Ministres. Gjatë kësaj periudhe Ministrja e Arsimit nuk ka kryer asnjë emërim, apo nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, sic raportojnë “burimet” që shpërndajnë lajme të pavërteta.

Ministrja e Arsimit znj. Karabina hedh poshtë cdo pretendim apo lajm të shpërndarë në media se objekti i kontrollit është veprimtaria e saj. Ajo shpreh të gjithë gadishmërinë për të qenë subjekt kontrolli mbi veprimet e saj gjatë gjithë ushtrimit të detyrës gjatë kësaj periudhe, qoftë nga struktura administrative, ashtu edhe nga organet e specializuara të zbatimit të ligjit. Të njëjtën qasje dhe qetësi duhet të tregojnë edhe funksionarët apo ish funksionarët e tjerë të MAS, apo drejtues të institucioneve shtetërore.

Për trasparencë, dhe për të shmangur cdo keqkuptim apo keqinformim me dashje të opinionit publik, MAS bashkëlidhur ju dërgon për njohje urdhrin e kontrollit dhe programin e kontrollit, të depozituar sot pranë institucionit tonë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Karabina, siguron opinionin publik se gjatë ushtrimit të detyrës, ka qenë dhe do të jetë deri në ditën e fundit të detyrës, garante e zbatimit korrekt të ligjit. Në këtë drejtim, znj. Karabina nuk do t’i nënshtrohet asnjë forme presioni të paligjshëm, që synon të shfokusojë Ministren në dokumentimin e shkeljeve të konstatura, apo përfundimin e misionit të saj për të dokumentuar përdorimin politik të strukturave arsimore gjatë fushatës zgjedhore.

Në përfundim, Ministria e Arsimit dhe Sportit, është e hapur për të bashkëpunuar, jo vetëm me grupin e kontrollit që do të nisë punë të hënën, por edhe me cdo strukturë tjetër të ngarkuar nga ligji për të kontrolluar veprimtarinë e institucioneve shtetërore.

Article Logic
Execution time: 0.0037767887115479