Anxhela Peristeri do të ngjitet në skenën e Eurovizionit në natën e dytë, më 20 maj dhe do të jetë e 11-ta në radhë për të kënduar. Ajo do përfaqësojë këtë vit Shqipërinë me këngën ‘Karma’, e cila ka vendosur t’i qëndrojë versionit shqip të këngës duke ndryshuar vetëm disa detaje të vogla.
Ajo ka qenë e ftuar këtë të shtunë në emisionin Soiree me Jonida Shehu në ABC dhe ka folur për emocionet para Eurovizionit dhe përgatitjet për t’u ngjitur në skenë.
Këngëtarja ka bërë të ditur se përsa i përket performancës, do të bashkëpunojë me koreografen e njohur suedeze, Sacha Jean-Baptiste me të cilën ka rënë në kontakt nëpërmjet e-mailit.
Duke marrë parasysh faktin që jetojmë në një kohë pandemie dhe mënyra onë e jetesës ka ndryshuar tërësisht, do të jetë vetëm një audiencë e kufizuar që do të lejohet të marrë pjesë në Eurovision e cila do të mbahet në Roterdam të Holandës.
Anxhela Peristeri në Soiree ka theksuar gjithashtu një ndër rregullat kryesore këtë vit të Eurovizionit. Sipas saj dhe grupit organizativ ata do të qëndrojnë 13 ditë në Roterdam, por të karantinuar.
“13 ditë atje, të gjitha delegacionet do të jenë të karantinuar. Do të bëjnë testin përpara se të shkojnë ditën tjetër për prova”, tha Kleart Duraj.
Ndërsa Anxhela shtoi: “Në qoftë se një anëtar i skuadrës tonë sëmuret me kovid, nuk del në skenë. Nuk skualifikohet, por transmetohet live në led”
Shefi i Delegacionit të Shqipërisë Kleart Duraj tha se në fakt ata e kanë kundërshtuar këtë rregull, pasi këto kufizime janë të tepërta për këngëtarët duke patur parasysh ngarkesën emocionale për performancën e tyre në skenë.
https://youtu.be/0Y68g_NBHY4