Më në fund Armando Sadiku është larguar nga Zvicra.
Sadiku është zyrtarisht një futbollist i Legias së Varshavës. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka zhvilluar sot paradite vizitat e detyrueshme mjekësore dhe ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me kampionët e Polonisë.
Sadiku udhëtoi dje drejt Varshavës dhe sot në mëngjes kreu të gjitha vizitat në klinikën e klubit, duke i kaluar me sukses. Më pas, ai ishte në ambientet e klubit ku në praninë e drejtuesve nënshkroi kontratën 3-vjeçare me skuadrën e tij të re.
Nuk është bërë ende e ditur se cila është shifra që ka paguar Legia e Varshavës për sulmuesin shqiptar, i cili ishte nën kontratë me Zyrihun. Te skuadra e re, Sadiku do të mbajë fanellën me numrin 99.