Operacioni i Policisë së Vlorës i koduar “Oriku”, ka arrestuar në flagrancë 4 persona. Mësohet se në momentin e ndalimit këtyre shtetasve ju është gjetur në makinë armë dhe municione, ndërsa pas kontrollit në banesat e tyre është gjetur dhe lëndë narkotike. Sipas të dhënave të uniformave blu në momentin e arrestimit, 4 personave ju gjet në makinë një pistoletë, një automatik si dhe municione.
Mësohet se policia ka ndaluar shtetasit Viktor Durmishaj, 49 vjeç, Rilind Kutelaj, 29 vjeç, Xhovalin Hodo, 23 vjeç, si dhe Denald Hoxhaj, 21 vjeç. Të gjithë këta shtetas u arrestuan në një automjet tip Audi, i drejtuar nga Kutelaj, teksa udhëtonin në aksin rrugor nga fshati Dukat në drejtim të Orikumit.
Ata u kapën në flagrancë buzë detit pranë vendit të quajtur “Pashaliman”. Ndërkohë shtetasi Denald Hoxhaj, akuzohet edhe për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, janë gjetur dhe asgjësuar disa bimë narkotike “kanabis sativa” me lartësi 160 cm.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 1 automjet tip “Audi” me targë AA124FZ,
– 1 armë zjarri “Automatik model 56”,
– 1 armë zjarri “Pistoletë model 57”,
– 2 krehëra,
-10 fishekë të kalibrit 7.62 mm,
– 5 aparate celularë.