Një i ri 25 vjeçar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane, është arrestuar nga uniformat blu në qytetin e Fierit. Mësohet se policia e Fierit ka arrestuar shtetasin Ardit Hyka, 25 vjeç. Nga të dhënat e uniformave blu bëhet e ditur se kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit fqinj, Itali. Mësohet se Gjykata e Apelit në Milano, ka lëshuar Urdhër Arresti më datë 22.04.2016, ndaj 25 vjeçarit Hyka, për kryerjen e veprave penale “Shkelje e ligjit për drogën në bashkëpunim” dhe “Mbajtje e paligjshme droge në bashkëpunim”. Sipas drejtësisë italiane, maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vite burgim.
Gjithashtu, policia e Fierit ka vënë në pranga edhe dy shtetas të tjerë të cilët rezultonin të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Bëhet e ditur se u bë ndalimi i shtetasit Erigest Sulaj, 24 vjeç, pasi ka rezultuar i dënuar me 6 muaj e 23 ditë burg për veprën penale "Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë" dhe "Kundërshtim të punonjësit të policisë". Gjithashtu është arrestuar edhe Eduart Caushaj, 28 vjeç. Ky shtetas ka qenë i dënuar me 5 muaj e 25 ditë burg për vjedhje.