Dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit u arrestuan nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit “New Start”. Në prangat e policisë kanë rënë Alfred Mahmuti, 45 vjeç, inspektor terreni i AKU, Erlinda Dervishi, 31-vjeçe, banuese në Tiranë, inspektore terreni në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, në 2 subjekte (thertore) është konstatuar licencimi në kundërshtim me kriteret ligjore. Policia e Tiranës në bashkëpunim me AKU-në, por edhe Agjenci të tjera ligjore po vijojnë kontrollet në mënyrë intesive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, apo rastet e abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës nga punonjës të këtyre strukturave. Aksionet e policisë ndaj inspektorëve të AKU vijnë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ky institucion është i korruptuar. Rama shkarkoi pak ditë më parë kreun e këtij institucioni, Dritan Sejko dhe emëroi në vend të tij Agim Ismailin.