INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Arrestohen të 'fortët' e Niklës

Arrestohen të 'fortët' e Niklës

Publikuar më: 15:07 12-09-2018

Aksioni i ditës së sotme i Forcave Speciale, FNSH dhe RENEA në Nikël të Krujës ku vënë në pranga 11 persona, emra të njohur për policinë dhe të konsideruar të rrezikshëm. Mes të ndaluarve mësohet se janë shtetasit Flamur Haka, i konsideruar si person i rrezikshëm dhe person i kërkuar nga policia,Marenglen Haka, Bedri Haka, Durim Bami, Valter Bami dhe Ylli Cangu. Në operacionin e drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, morën pjesë një numër i madh efektivësh policie të shoqëruar me 20 mjete të blinduara. Operacioni u përqendrua në kontrolle për armë dhe drogë në banesat e grupit të njohur si grupi i Niklës.  11 personat e ndaluar nga policia u shoqëruan në ambjentet e policisë së Durrësit ku pritet që tu komunikohet arresti. Zyrtarisht policia e shtetit nuk ka dhënë informacion në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi personat e shoqëruar.  Por zona e Niklës njihet si një ndër më të nxehtat në Shqipëri ku kanë ndodhur një numër i madh ngjarjesh në të kaluarën. Në këtë zonë kanë ndodhur disa vrasje, i fundit Kejsi Hysa, që njihej ndryshe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me përqindje, por edhe rrëmbime, rasti më i bujshëm ai i Enver Stafukës, personi që u vu nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për grabitjen e BMW-së, nga ku u qëllua për vdekje komisar Dritan Lamaj. Kjo zonë njihet edhe për kultivimin e kanabisit dhe shpërthimet me eksploziv. Para dy ditësh iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli banesës së drejtorit të OSHEE-së për Fushë-Krujën, Besnik Masha. Shumica e ngjarjeve në këtë zonë janë të pa zbardhura.

Article Logic
Execution time: 0.0036380290985107