Arrestohet personi i dyshuar si autor i vrasjes së 32-vjeçarit nga Dibra. Elsi Kosiqi u ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të së martës në derën e shtëpisë së tij në Maqellarë të Dibrës.
Policia e Dibrës ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga aksioni i arrestimit të Mahmut Gegës, banues në Shupenzë, por pa zbardhur ende motivin e ngjarjes. “Dyshohet se shkaku është për konflikte për motive të dobëta. Për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera dhe rrethana të ngjarjes”- njofton policia. Elsi Kosiqi, 32 vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij rreth orës 01:30. Banorët e Maqellarës janë shprehur se viktima kishte precedentë të ndryshëm dhe se familjarët e tij kanë një hotel te Llixhat në Peshkopi. 32-vjeçari sapo ishte kthyer nga Maqedonia, ku ka qëndruar në Dibër të Madhe.