Reperi i njohur me emrin Tekashi 6ix9ine rrezikon minimumi 32 vite burg dhe maksimumi burg të përjetshëm, pasi u arrestua mbrëmjen e së dielës. Sipas “Rolling Stone” prokurorët parashtruan çështjen kundër Tekashi-t dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, ndaj të cilëve janë ngritur 17 akuza të ndryshme, përfshirë grabitje të armatosur, komplot për të kryer vrasje dhe shpërndarje droge.
Akuzat vijnë pas një hetimi 5-vjeçar të bandës së rrugës Nine Trey Bloods, në të cilën thuhet se bën pjesë edhe 6ix9ine.
“Ai është pjesë e një bande të dhunshme dhe ka qenë në shumë komplote”, tha një avokat amerikan.
Reperi që quhet në të vërtetë Daniel Hernandez është akuzuar për filmimin e një grabitje të armatosur të një anëtari të bandës rivale. Sendet e vjedhura nga grabitja u gjetën më vonë në shtëpinë e reperit.
6ix9ine është akuzuar për posedimin e një arme AR-15 dhe është përfshirë në dy shkëmbime zjarri. Avokati mbrojtës i tij thotë se reperi ka shumë pak lidhje me bandën vetëm vitin e fundit dhe i ka përdorur anëtarët e saj për sigurinë dhe menaxhimin e tij.