Korçarët mbrëmë kanë shkruar një tjetër faqe të shkëlqyer në historinë e tyre, duke kaluar me sukses katër ture eliminatore për të përfunduar, për herë të dytë, në dy vitet e fundit në grupet e Ligës së Europës.
Arsenal, Lacio, Olimpik Marsejë e shumë klube të tjera janë kundërshtar të mundshëm për korçarët në shortin e sotëm. Ashtu si dy vite më parë, shorti mund ta vërë sërish Skënderbeun në të njëjtin grup me Lokomotivën e Moskës. Nuk përjashtohet mundësia që në grup të kenë edhe Partizanin e Beogradit.
Shorti i fazës në grupe të Ligës së Europës hidhet sot në orën 13:00, në Monte Karlo. Skënderbeu është në vazon e katërt, ashtu siç pritej për shkak të koeficientit, ndërsa thuajse në çdo vazo tjetër ka kundërshtarë mjaft të fortë.
Ndarjet në vazo për shortin
Vazo 1: Arsenal, Zenit, Olimpik Lion, Dinamo Kiev, Vijareal, Atletik Bilbao, Lacio, Milan, Viktoria Plzen, RB Salcburg, Kopenhagë, Sporting Braga.
Vazo 2: Steaua Bukuresht, Ludogorets, Everton, BATE, Jang Bojz, Olimpik Marsejë, Real Sociedad, Makabi Tel-Aviv, Lokomotiv Moskë, Herta Berlin, Austria Vjenë, Nicë.
Vazo 3: Astana, Partizan Beograd, Hofenhajm, Këln, Rijeka, Vitoria Gimaraesh, Atalanta, Zylte Varegem, Zoria, Rosenborg, Sherif Tiraspol, Hapoel Ber Sheva
Vazo 4: Apollon Limasol, Istanbul Bashakshehir, Koniaspor, Vitese, Slavia Pragë, Crvena Zvezda, Skënderbeu, Zhilin, AEK Athinë, Lugano, Vardar, Ostersunds