Doni të transferoni studimet në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional? Tani kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare. Datat e aplikimit janë 3 shtator deri më 14 shtator. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, tashmë këta aplikantë ndryshe nga të tjerët, do të kenë mundësi transferimi pavarësisht notës mesatare.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin sipas të cilit, kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve apo për program të dytë studimi, duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë për programet e studimit për të cilat aplikojnë. Transferimi i studimeve, mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë ose i ngjashëm i ndjekur nga kandidati në universitet publik apo privat i liçencuar dhe akredituar për programin përkatës të studimit, vendase apo të huaja. Pas dorëzimit të dokumentacionit, universitetet shpallin listat e kandidatëve që kanë aplikuar për transferim studimesh dhe ato të kandidatëve që kanë aplikuar për program të dytë studimi brenda datës 17 shtator 2018.
Ndërsa kandidatët për studentë do të mund të mësojnë nëse janë apo jo fitues brenda datës 3 tetor, pas përfundimit të vlerësimit të dosjeve nga komisionet e ngritura nga universitetet, të cilat brenda kësaj date publikojnë listat në mjediset e tyre dhe në faqet zyrtare.