Dashuria duhet mbrojtur, duhet “ujitur” si një bimë që duhet të rritet dhe pasi të zhvillohet, duhet mbajtur e gjallë për të bërë të mundur që frutat të vazhdojnë prodhimin. Gjithmonë duhet mahnitje, dëfrim e të festoni edhe atë që nuk do të kishit festuar kurrë.
Kur dy persona lidhen, e bëjnë me bindjen se do të jetë përgjithmonë, por nuk dihet nëse do të jetë vërtetë kështu. Shpesh, marrëdhëniet përfundojnë për mungesë vëmendjeje, sepse diçka ngec dhe jo sepse dashuria mbaron. Kur lidhesh merr një impenjim kundrejt një tjetër personi dhe gjithçka duhet ndjekur ditë pas dite, pa konsideruar kurrë asgjë të sigurt. Nëse një raport zgjat prej disa vjetësh dhe fillohet të ndihet mërzia apo monotonia e të qëndruarit bashkë, është rasti të bëni diçka që s’e keni bërë më parë. Në fazat e para të marrëdhënies, çiftet e vendosin veten në qendër të jetës së njëri-tjetrit, si dhe vlerësojnë njëtrajtësisht mendimet dhe dëshirat e tyre. Me kalimin e kohës, ky përqendrim ose fokusim, kalon tek fëmija për gruan dhe tek puna për burrin. Edhe gratë pa fëmijë e zënë kohën me punët e shtëpisë. Dhe kështu vijon rrjedha e jetës.
Të mërzitur me lidhjen apo martesën tuaj? Mendoni se jeni mbërthyer në një rutinë, në një martesë të shurdhët? Nuk di çfarë të flasësh me partneren/in tënd? Asgjë nuk po funksionon si në fillim? Ndoshta ju jeni të vetëdijshëm për këtë, por shpresoni se mund të kalojë apo mendoni se jeni në fundin e një marrëdhënieje. Shkak për këtë janë një sërë arsyesh e problematikash në një raport. Monotonia lind nga shkëputja e lidhjeve të respektit dhe dashurisë midis dy individëve.
Disa arsye që çojnë marrëdhënien në monotoni:
1-Mos komunikimi me njëri-tjetrin
Mungesa e dialogut paraqet fazën më negative të një lidhjeje. Mos komunikimi çon në ankesa çiftin.
2-Mos përkushtimi i kohës
Puna deri orët e vona, përkujdesja e tepërt e fëmijëve, kalimi i kohës vetëm me shoqërinë rrezikon marrëdhënien me partnerin apo partneren duke e vënë durimin e tij/saj në provë.
3-Mungesa e vëmendjes
Një armik tjetër i madh është dhe mungesa e vëmendjes. Partneri apo partnerja ndihet i lënë mbas dore n.q.s ju nuk shikoni çdo gjë, nuk vëzhgoni ndryshimet, nuk kushtoni vëmendje rreth tij/saj.
4-Mos kujdesi për veten
Fakti që keni shumë vite së bashku nuk do të thotë që të tregoni parregullsi në disa aspekte të mënyrës së jetesës që bëni. Pamja e jashtme është gjithmonë e rëndësishme.
5-Mungesa e jetës intime
Me kalimin e kohës fantazitë ngecin, marrëdhënia intime rrallohet. Raporti intim midis dy partnerëve është pak a shumë si uji për jetën, i domosdoshëm në raportin në çift.
6-Teprimi me xhelozinë
Kontrollet e tepërta, mos besimi në partnerin apo partneren tuaj çon në fund të një marrëdhënieje.
7-Mungesa e projekteve së bashku
Mungesa e planeve,qëllimeve së bashku, qoftë edhe planifikimi i pushimeve apo një darkë jashtë çon në mosfunksionim të raportit në çift.
8-Teprimi i raportit me familjarët reciprokë
Detyrimi i partnerit apo partneres pa dëshirë të vizitojë pafund prindërit reciprokë e çon në acarim çiftin. E njëjta gjë vlen edhe për shoqërinë apo kolegët tuaj të punës.
9-Heqja dorë e aktivitete së bashku
Fillimi i heqjes dorë nga shumica e argëtimeve së bashku, përfshirë dhe mbrëmjet jashtë, vajtja në kinema apo ambientet me muzikë. E dala rrallë çon në rrezik marrëdhënien tuaj.
10-Televizioni
Çiftet kalojnë shumë kohë para TV i cili është vrasësi kryesor i pasionit. Një darkë e ngrënë në shoqërinë e TV sigurisht nuk ndihmon në bashkimin tuaj.
‘Ujiteni’ dashurinë të japë fryte!
Për ta sjellë përsëri atë shkëlqim, ju duhet t’i hidhni një vështrim marrëdhënies tuaj para se të merrni një vendim, duke i rifutur disa pasione apo angazhime të reja lidhjes.
Komunikoni me partneren/in tuaj. Në komunikim përdorni fjalën “unë” në vend të fjalës “ti” sepse fjalitë e formuara me “ti” përmbajnë sinjale kritikuese dhe kjo çon në acarim palën tjetër e cila do të përpiqet të mbrohet.
Ndani me partnerin/ren hobet e tij/saj ose të paktën mos kritikoni dëshirat e tij/saj.
Komunikoni lirshëm sepse personi i cili nuk arin të kuptohet nga partneri pas njëfarë kohe nuk do të përpiqet të flasë më rreth vetes dhe kështu do të krijohen distanca të mëdha mes çiftit.
Gjallërojeni marrëdhënien tuaj në çift me ndryshime të vogla të herë pas hershme. Ana e cila kërkon ndryshim duhet ta shprehi qartë këtë dhe në pikën e mosmarrëveshjes duhet të kërkojë një zgjidhje. Para se të fillojmë ankesat, secili nga ne duhet të ndryshojë vetveten më parë.
Thyeni rutinën duke shkuar në vende që s’kemi shkuar më parë bashkë.
Planifiko pushimet në minutën e fundit. Shkoni me pushime disa ditë, nuk ka rëndësi se ku, e rëndësishme është që do jeni bashkë.
Disa këshilla për të ndezur pasionin në një marrëdhënie:
1-Dëgjoni muzikën kur jeni takuar për herë të parë.
2-Lexoni letrat,sms,email-et që keni dërguar me njëri –tjetrin në fillimin e lidhjes.
3-Nxirrni fotot e hershme dhe shikojini së bashku.
4-Hidhni parfumin që keni pasur në takimin e parë.
5-Ndrysho gjërat në dhomën e gjumit.
6-Ndryshoni mënyrën e sjelljes qoftë edhe për një ditë të vetme.
7-Gatuani diçka speciale vetëm për të.
8-Dërgo sms-të që ke dërguar më parë (thjesht sapo të ndahesh t’i dërgosh ‘të dua’).
9-Shpreh ose diskuto çdo gjë, duke e parë në sy partnerin/ren pa lejuar një mur ndarës.
10-Dilni natën dhe shikoni yjet së bashku ose dilni në 5 të mëngjesit dhe të shikoni diellin duke lindur. Këto janë disa momente të paharrueshme.