Tirana është kthyer në një qytet të parapëlqyer ku shumë artistë e përzgjedhin për të promovuar veprat e tyre.
Vitet e fundit janë të shumtë artistët që kanë zgjedhur Tiranën, duke filluar nga artistët më të rinj deri tek ato me famë botërore duke i dhënë kështu kryeqytetit një gjallëri nëpërmjet artit.
Aulona Hoxha nga Kosova është artistja më e fundit e cila ka përzgjedhur Tiranën për të hapur ekspozitën e saj.
Studentja nga Prishtina e cila studion arkitekturë, përveç pasionit që ka për artin ka realizuar një ekspozitë që ka të bëjë edhe me profesionin e ardhshëm të Aulonës, pikërisht atë të arkitekturës.
"ArchiComics" është emri i ekspozitës në të cilën artistja ka transformuar figurat e shumë arkitektëve të famshëm në disa imazhe të çuditshme.
Intervista me Aulona Hoxhën:
-Nga lindi ideja për të realizuar një ekspozitë të tillë?
-Një ide pak a shumë të ngjashme e kisha në mëndje por ideja përfundimtare erdhi kur “Destil Hostel” më propozoi mua që të bëja një ekspozitë të tillë.
-Pse vendoset për ta hapur në Tiranë dhe jo në Kosovë?
-Vendosa për ta hapur ekspozitën në Tiranë pasi këtu mu bë ftesa për ta hapur një ekspozitë të tillë.
-Cili është qëllimi i kësaj ekspozite?
-Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është që njerzit të njohin stilin tim të vizatimit.
-Sa kohë ju është dashur për ta realizuar këtë ekspozitë?
-Afërsisht një muaj punë intensive.
-A keni pasur vështirësi gjatë realizimit të kësaj ekspozite?
-Në fakt vështirësi nuk kam pasur madje ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur shumë lehtë dhe bukur.
-Cili është mesazhi që do i jepnit të rinjve shqiptarë dhe atyre kosovarë?
-Unë ju bëj thirrje që të bëjnë sa më shumë aktivitete kulturore, rinia duhet të punoj më shumë në aspektin e artit pasi si Shqipëria ashtu edhe Kosova nuk i kushtojnë shumë rëndësi artit.