Prestigjozja madrilene AS ka hedhur dritë mbi skandalin e plasur mes sulmuesit spanjoll dhe trajnerit të Chelsea.
Nuk mbahet mend se kur ishte hera e fundit që një lojtar futbolli kishte dalë në një konferencë për shtyp për t’u thënë gjithë botës se klubi e kishte përzënë. Veçanërisht kur flasim për një lojtar që nuk është transferuar në një ekip tjetër, por është ende pjesë e Chelsea. Megjithatë, kjo duket se nuk ka përbërë aspak problem për një nga sulmuesët kryesor të kampionatit anglez, Diego Costa, i cili pas miqësores mes Spanjës dhe Kolumbisë tha përpara gazetarëve se trajneri i tij e kishte ftuar të kërkonte një ekip tjetër. Tashmë madrilenia AS bën publik tekstin e këtij mesazhi:
“Përshëndetje Diego, shpresoj që të jesh mirë. Faleminderit për atë që kemi bërë së bashku sezonin e kaluar. Të uroj fat për sezonin e ardhshëm, por nuk bën më pjesë në planet e mia”. Ky mësohet të jetë sms me të cilin trajneri italian Antonio Conte i ka treguar dyert 28-vjeçarit.