INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Astrit Patozi: Kam një parandjenjë për qeverinë e re

Astrit Patozi: Kam një parandjenjë për qeverinë e re

Publikuar më: 19:44 09-08-2017

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka bërë një analizë për qeverinë e re “Rama 2” në shtator.

Në atë që shkruan në rrjetet sociale, Patozi thotë se në qeverinë e re do të ketë shume befasi. Ai thotë se në shtator mund të shohim ministria që nuk na i ka pritur mendja dhe njerëz që mund të mos jenë marrë asnjë ditë të vetme me politikë. Kjo gjë për Patozin vjen pasi Rama korri një fitore të sigurt dhe nuk është i detyruar të ndajë “plaçkën e luftës”.

Më poshtë analiza e plotë e Astrit Patozit:

E KAM NJË PARANDJENJË PËR QEVERINË E RE

E kam një parandjenjë që do ketë shumë befasi në qeverinë e re të Edi Ramës. Mund të shikoni në shtator burra e gra, për të cilët nuk ia ka vajtur mendja kurrë. Që mund të mos jenë marrë asnjë ditë të vetme me politikë, apo që mund të kenë qenë në hall të vet diku në rreshtat e fundit të saj.

Mënyra si po sillet "timonieri" pas 25 qershorit të çon në këtë përfundim.

Dhe kjo shkon përtej arrogancës së 4 vjetëve të shkuara, kur fjalimi i parë i tij në parlament mbahet mend vetëm për shprehjen "prisni, prisni, se nuk keni parë gjë akoma".

Është karshillëku i atij që mendon se ka fituar i vetëm dhe se nuk ka më kë e ndan "plaçkën e luftës". Ndaj edhe po tallet me të gjithë bashkëpunëtorët, si me ata që janë ende në detyrë, por edhe me ata që po presin më kot që të vlerësohen një ditë për mundin dhe kontributet. Të cilët po rrinë e vështrojnë të depersonalizuar se mbase deri në vjeshtë i ndërron mendja udhëheqësit suprem.

Në këtë pikë ka mbërritur plotfuqishmëria e liderit në partitë tona, që po degradojnë dita-ditës.

Ndaj edhe nëse nuk shikoni fytyra të diskretituara në polifoton e kabinetit të ri të Edi Ramës, mos u gëzoni kot, se asgjë nuk do të vijë për mirë. Ju mjafton "timonieri" për ta ditur që tani se çfarë ngjyre, çfarë ere dhe çfarë shijeje do të ketë qeveria e re.

Dhe mos mendoni se ulja në stolin e deputetit të disa ministrave do të rrisë cilësinë e parlamentit. Sepse do të shkojnë aty kokëulur dhe nuk do të ndihen fare, por do të flasin vetëm nëse dikush u përmend emrin. Sepse e kanë pranuar vetë fatin e tyre, që kur ushqyen për vite me radhë rritjen e përbindësishit.

Është e njëjta sëmundje, madje më e rëndë, që ka pushtuar prej kohësh edhe opozitën. E cila fazën e vet akute e pati në 3 muajt e fundit, kur Lulzim Basha u shndërrua papritur në një bajloz dhe i bëri vetë të gjitha. Çadrën, Republikën e Re, listën dhe fushatën. Por ndryshe nga "timonieri" u shpërlblye me çelësat e kashtës më 25 qershor. Por kjo nuk e dekurajoi fare, sepse si trim i çartur udhëhoqi një tjetër betejë ku doli triumfator duke mundur 9 me 1 Eduard Selamin.

Po ta shikosh me vëmendje, të dy ortakët e marrëveshjes së 18 majit kanë vetëm një merak, të jenë të rrethuar nga vartës të bindur dhe servilë gjithëfarësh. E vetmi ndryshim është se "timonieri" i do që të kenë emra, por që të mos flasim, ndërsa tjetri ka frikë edhe nga emrat.

Nëse do ta lemë që ta zgjasë edhe pak ky fenomen i shpifur, që vetëm me politikën moderne nuk ka lidhje, nuk do të ketë më nevojë fare për parlament. Sepse mjafton që të shkojnë në sallën e Kuvendit vetëm dy burra, fituesi dhe humbësi. Dhe atdheu do të jetë më i përfaqësuar se kurrë.

Article Logic
Execution time: 0.0045070648193359