INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Astrit Patozi: Përse Lulzim Basha nuk më pengon të protestoj

Astrit Patozi: Përse Lulzim Basha nuk më pengon të protestoj

Publikuar më: 18:18 25-01-2018

Një nga kritikët më të fortë të Lulzim Bashës, Astrit Patozi në një postim në rrjetin social Facebook shprehet se do të marr pjesë në protestën e thirrur nga opozita në 27 janar.

Duke ironizuar ai shpjegon se ka arsyet e tij për të qënë prezent në protest edhe pse sipas tij Basha do të përpiqet ta privatizojë.

"Unë nuk kam asnjë arsye mbi tokë që të ndjek Lulzim Bashën, por kam një mijë arsye për të qenë gjithmonë atje ku më takon. Kam bindjen se janë të shumtë ata që e mendojnë si unë, ndaj dhe ne besoj se do të jemi bashkë në protestën e 27 janarit.

Pozicioni kundër kësaj qeverie përcaktohet nga e gjithë jeta ime politike dhe publike, që nuk është aq e shkurtër, ndërsa orientimi im i djathtë i ka rrënjët shumë kohë përpara vitit 1944. Dhe si i tillë nuk ka nevojë të çertifikohet nga askush, aq më pak nga bashkautori i paktit okult të 18 majit.

Ndaj si njeri politik do të jem kudo, ku ka njerëz të zemëruar me këtë qeveri, qoftë edhe vetëm për faktin se unë jam njëri prej tyre.

Natyrisht arsyet e mia pse do të jem atje janë krejtësisht të tjera me të Lulzim Bashës, po aq sa janë edhe përgjegjësitë për katandisjen e Partisë Demokratike në një gjendje dëshpëruese, të cilën nuk e zgjidh dot kjo protestë, edhe sikur të jetë më madhështorja e të gjitha kohërave.

Unë do të jem atje edhe pse e di që Lulzim Basha do të përpiqet ta privatizojë protestën thjesht dhe vetëm për të shtyrë ditët e veta. Por edhe pse sikur e kam para syve që tani se si do ta shfrytëzojë revoltën e sinqertë të njerëzve, sërish ky më duket hall më i vogël, sesa kostoja që paguajmë për qeverisjen skandaloze të Edi Ramës.

Ndaj unë do të jem atë ditë në vendin, që më takon, edhe pse e di që kjo dikujt nuk do t'i pëlqejë dhe interesojë. Por unë nuk kam ndërmend t'u jap asnjë sekondë kënaqësi atyre që nuk duan të më shohin aty. Të cilët nuk ka nevojë t'i përmend me emra" shkruan Patozi.

Në fund të shkrimit Patozi shkruan se të shtunën është dita për të treguar se Shqipëria nuk e meriton qeverinë e Edi Ramës dhe këtë mund ta bëjnë vetëm opozitarët.

‘Natyrisht, janë qindra mijëra ata shqiptarë, që mendojnë se e njëjta logjikë vlen edhe për opozitën, por kjo i takon një dite tjetër' e mbyll postimin ish nënkryetari i PD-së.

 

Article Logic
Execution time: 0.003972053527832