Deputeti i Partisë Demokratike dhe kritiku më i flaktë i Lulzim Bashës ka zhvilluar një takim me mbështetësit demokratë në Korçë ku ka bërë një lajmërim të papritur.
Ai ka shpallur “Lëvizjen për Ringritjen e PD”, duke krijuar në këtë mënyrë një lloj fraksioni brenda demokratëve i cili përbën grupin e kritikëve të kryetarit aktual Lulzim Basha. Duke thënë se PD nuk ka vdekuar, Patozi u bëri thirrje demokratëve që të pengojnë garën për kreun e partisë, që aktualisht zhvillohet me Bashës dhe Eduard Selamit. Gjatë takimit ai u shoqërua nga tre deputetë aktualë të PD, respektivisht Ridvan Bode, Eleina Qirici dhe Gjergji Papa. Patozi, ndër të tjera, tha:
“Nëse lëvizja jonë do të kishte një emër do të ishte ‘lëvizja për ringritjen e Partisë Demokratike”.
Demokratët që janë të shqetësuar dhe të lënduar si ne, pas humbjes së 25 qershorit, duhet të themi që ne jemi të gjithë bashkë. PD është opozita e këtij vendi dhe një aset për këtë vend. Ndaj, ky takim këtu dhe ata që do të vijojnë, do tu tregojë shqiptarëve që PD është pronë e demokrateve dhe jo një biznes privat. PD nuk mund të jetë kurrë pronë e një njeriu. Ne jemi etiketuar qëllimisht si kundërshtarët e Lulzim Bashës. Po ua them dhe një herë që ne jemi kundërshtarët e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kjo, sepse Lulzim Basha ka përgjegjësinë më të rëndë, por ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me të.
PD nuk ka vdekur por është këtu në këtë sallë. Në 2013, Sali Berisha dhe të gjithë dhanë dorëheqjen pas rezultati.
Pas një humbjeje ai thotë që eja të shkojmë përsëri bashkë në garë. Po çfarë është kjo humbja e “Skënderbeut”, që thotë eja se do të fitojmë në ndeshjen tjetër”