Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në lagjen numër 2 të qytetit të Laçit, ku është qëlluar me pistoletë në drejtim të një të riu. Ky i fundit udhëtonte me një automjet tip “Benz” me ngjyrë të kuqe dhe në momentin që është shkëmbyer me një autoveturë tjetër është qëlluar nga dritaret. Ai me të dëgjuar krismat, ka ndalur makinën dhe është larguar në drejtim të pallateve për të humbur gjurmët. Policia e Kurbinit ka mbërritur në vendngjarje, duke pyetur edhe dëshmitarët, të cilët kanë qenë të shumtë në momentin e atentatit. Atentatorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të Mamurrasit, ndërsa shënjestra nuk raportohet se ka probleme serioze me shëndetin.