Një personi i është bërë atentat me armë zjarri mesditën e djeshme në rrugën e “Shkodrës”, pranë urës së Institutit në Kamëz. Nga ky atentat ka mbetur i plagosur 40-vjeçari Korab Peposhi, i cili është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë policia shkoi në vendin e ngjarjes ku bëri të mundur identifikimin e autorit, mësohet se ai është Alfred Rrushi. I plagosuri Peposhi i cili i mbijetojë atentatit, udhëtonte me makinë ti “Range Rover” kur drejt tij është qëlluar me breshëri plumbash. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se drejt 40-vjeçarit është qëlluar 7 apo 8 herë. Ngjarja është shënuar rreth orës 14.20, ku Peposhi mori tre plumba në trup. Nuk dihet ende nëse 40-vjeçari është gjurmuar para atentatit nga vetë autori i plagosjes, apo kanë qenë persona të tjerë që kanë informuar atë mbi lëvizjet e Peposhit dhe Alfred Rrushi ka qenë i pozicionuar e gati për të kryer atentatin. Rrushi ka qëlluar me armë automatike, e më pas është larguar në rrugicat aty pranë. Pasi është dhënë alarmi në sallën operative, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Ambulanca, ndërsa i plagosuri është transportuar në spital. Polica ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë pritet të zbardhë më shumë detaje. Burime policore bëjnë me dije se autori dhe i plagosuri kishin njohje me njëri-tjetrin. Të njëjtat burime saktësojnë se motivi i atentatit ka qenë konkurrenca e pazareve të drogës. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku që çoi autorin për ta eliminuar fizikisht, Korab Peposhin, është se të dy personat janë të përfshirë në trafikun e drogës. Burime policore pohojnë që autori dhe i plagosuri janë të përfshirë në shpërndarje droge dhe konflikti mes tyre nisi pasi ata i merrnin klientë njeri-tjetrit. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli dhe po punon për kapjen e autorit.
Autori dhe i plagosuri, me precedentë penalë
Si i plagosuri ashtu edhe autori rezultojnë me precedentë të mëparshëm penale. Korab Peposhi është arrestuar për shpërndarje droge në Itali, ndërsa Alfred Rrushi është i skeduar nga policia për një plagosje në kryeqytet. Autori i plagosjes së 40-vjeçarit Korab Peposhi, Fredi Rrushi nuk është një emër i panjohur për policinë. Rrushi ka qenë i dënuar më parë për një plagosje të ndodhur në Kamëz dy vite e disa muaj më parë. Ngjarja ku u përfshi Rrushi u regjistrua tre ditë para Vitit të Ri, pikërisht në 28 dhjetor 2015, në vendin e quajtur bulevardi “Blu”, pranë vilës nr. 23 Kamëz. Për këtë ngjarje u dënua me 10 vite burg i riu Amarild Dushku, pasi plagosi rëndë, shtetasit Klevis Halili dhe Jurges Mullaj dhe 5 vite burg shokut të tij, Alfred Rrushi. Në atë kohë u raportua se shkaku i konfliktit ka qenë fakti se Jurges Mullajit kishte hedhur një fishekzjarr në afërsi të një bilardoje ku ndodhej Amarild Dushku. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të nis një sherr që degjeneroi deri në përdorimin e armës. Ndërsa në vitin 2011, sipas raportimeve në mediat italiane, Korab Peposhi bashkë me një tjetër shqiptar është kapur në Savona me rreth 100 gramë kokainë. Në momentin e ndalimit nga karabinierët mësohet se ai ishte edhe me dokumente rumune false./alns/